Policia e Kosovës duket se ka vënë para agresorët në veri. Sipas mediave vendase Njësia Speciale ka hyrë brenda në Manastirin e Banjskës, ku është ngujuar grupi kriminal i armatosur në komunën e Zveçanit.
Burimet flasin se ka mundësi që aksioni të përfundojë brenda orës. Po ashtu mediat raportojnë se disa prej agresorëve po tentojnë të largohen nga manastiri. Brenda manastirit është gjetur sasi e madhe armatimi.
Deri më tani policia ka konfirmuar për 3 agresorë të vrarë dhe 4 të arrestuar. Një prej tyre dyshohet se ka qenë pjesë e grupit.
Po ashtu thuhet se si pasojë e sulmeve një zyrtar policor ka pësuar lëndime kryesisht të lehta.
“Po ashtu njësitet policore gjatë ushtrimit të pikë kontrollit rutinë të automjeteve, në zonën e fshatit Rudare ka ndaluar katër persona të dyshuar të cilët janë hasur nën posedim ilegal të radiolidhjeve, të cilët dyshohet se ndërlidhen me grupet kriminale, ku të gjitha veprimet e mëtejme ndaj tyre do të ndërmerren në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë”, njoftoi policia.
Kujtojmë se grupi në fjalë sulmoi policinë gjatë natës dhe vranë një efektiv. Ata u strehuan në manastirin e Banjskës dhe prej mëngjesit ka pasur shkëmbim zjarri me policinë.
Lini një Përgjigje