
Policia e Kosovës ka bastisur sot hotelin “Rajska Banja” në Banjskë të Zveçanit ndërsa ka sekuestruar një arsenal armësh.
Dyshohet se armët kanë qenë aty që nga rasti i sulmit serb në këtë fshat ndaj Policisë së Kosovës një vit më parë.
“Sot gjatë ditës kemi zhvilluar një kontroll shtesë në Hotelin Rajska Banja dhe kemi gjetur 2 jelekë antiplumb, AK-47, 8 Karikator me fishekë dhe disa pajisje të tjera ushtarake. Besohet se këto prova materiale kanë qenë aty që nga rasti i Banjskës”, ka thënë zëvendësdrejtori i Policisë për rajonin e veriut, Veton Elshani.

Nuk është hera e parë që Policia e Kosovës ka gjetur armatim në Banjskë që nga sulmi i shtatorit, 2023.
Kompleksi “Rajska Banja” u mor në administrim nga shteti në fund të vitit të shkuar. Ai ishte funksional deri në marrjen e tij nga Agjencia Kosovare e Privatizimit. Hapjen e hotelit në Banjskë e bëri Marko Gjuriç, ministër i Jashtëm i Serbisë.
Gjithashtu, raportohet se në këtë hotel ka qëndruar edhe ish-kryeministrja e Serbisë Ana Bërnabiç si dhe zyrtarë të Listës Serbe.
AKP-ja njoftoi se objekti është rinovuar pa leje dhe se është pronë e ndërmarrjes shoqërore “Trepça Standard”.
Kujtojmë se, më 24 shtator të vitit të kaluar, dhjetëra serbë të armatosur sulmuan Policinë e Kosovës në Banjskë duke vrarë policin Afrim Bunjaku. Në aksionin pasues të Policisë u vranë edhe tre sulmues serbë. Përgjegjësinë për sulmin terrorist mori ish-nënkryetari i Listës Serbe, Millan Radoiçiç, që besohet se ndodhet në Serbi.
Lini një Përgjigje