
Bashkimi Europian ka paralajmëruar hapur Kosovën se nuk të ketë mbështetje nëse ndërmerr veprime të njëanshme lidhur me hapjen e urës së Ibrit.
Ura e Ibrit po sjell përplasje mes Kosovës dhe aleatëve, ndërsa këta të fundit kërkojnë që ura mos të hapet në këtë moment, por të diskutohet edhe njëherë në tryezën e dialogut me Serbinë.
Zëdhënësi i BE Peter Stano paralajmëroi se Kosova rrezikon të mbetet e vetme dhe mbrapa, nëse nuk i dëgjon miqtë dhe aleatët e saj. Stano shton se ky qëndrim është bërë i qartë nga BE-ja, Shtetet e Bashkuara të Amerikës e Britania e Madhe.
“Dua t’i rikujtoj të gjithë ata të cilët kanë problem të dëgjojnë dhe kuptojnë se të gjithë miqtë dhe aleatët e Kosovës (BE, SHBA, NATO dhe Britania e Madhe) kanë thënë qartë dhe pa mëdyshje se është në interes të Kosovës t’i dëgjojë miqtë dhe aleatët, ndryshe rrezikohet që të mbetet e vetmuar dhe të mbetet prapa”, tha Stano.
Më herët edhe ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, bëri të qartë se Washingtoni nuk e sheh me sy të mirë një lëvizje të tillë, teksa theksoi se hapja e urës në Mitrovicë në këtë kohë mund të ndikojë në sigurinë e ushtarëve të NATO-s, përfshirë ata amerikanë.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha ditën e djeshme se Kosova duhet të sigurohet që ura në veri të hapet në atë mënyrë që nuk nxit konflikt me aleatët e vendit e as prani të shtuar të misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR. Por ajo “acaroi” BE-në teksa u shpreh se Kosova nuk duhet kurrsesi ta diskutojë këtë çështje me Serbinë në Bruksel, ndërsa deklaratën e bllokut europian lidhur me urën e cilësoi si “raciste”.
I pyetur rreth kritikave të zyrtarëve të Qeverisë dhe të Osmanit ndaj BE-së, Stano u përgjigj se nuk ka të bëjë me ndonjë marrëveshje të re, por me zbatimin e asaj të arritur më parë për urën.
“Qeverisja e mirë nënkupton që t’u afrohesh dhe t’i angazhosh komunitetet ndaj të cilave kanë ndikim vendimet specifike. Që të merret me çështjen e urës në kuadër të dialogut të lehtësuar nga BE-ja, do të thotë të diskutohen modalitetet e implementimit të marrëveshjes së arritur për urën e jo një marrëveshje e re”, shtoi Stano.
Lini një Përgjigje