
Ushtria serbe është dislokuar pranë kufirit me Kosovën. Paradite ministri i Mbrojtjes Millosh Vuçeviç urdhëroi që brenda orës 14.00 të gjitha forcat të jenë vendosur në kufi dhe të jenë në gatishmëri lufte deri të premten. Sipas mediave serbe, i gjithë grupi është dislokuar në kufi dhe janë në pritje të urdhrave nga eprorët.
Pra, sikundër ka ndodhur edhe herët e tjera, Serbia vijon të provokojë duke vendosur forcat ushtarake pranë Kosovës. Në disa video të shpërndara në rrjetet sociale shihet se në ajër janë ngritur dhe avionët, ndërkohë shihet autokolona serbe që shkon drejt kufirit me Kosovën.
Vetë Millosh Vuçeviç, tha se këto lëvizje erdhën pas urdhrit të lëshuar nga presidenti, Aleksandër Vuçiç, për shkak të tensioneve në veri të Kosovës.
“Ushtria serbe nuk është në krye të dialogut politik, por mbron sovranitetin. Ne nuk vlerësojmë se çfarë mund të bëjë ushtria në ndonjë proces imagjinar, por i vendosëm vetes çdo detyrë që mund të kryejmë në kuadrin e sovranitetit të shtetit tonë. Presim që kjo të zgjidhet politikisht. Pse është ngritur gatishmëria luftarake? Që të mos i presim serbët në Jarinje me batanije, ujë e sanduiçe, por ata duhet ta dinë se ka vija të kuqe”, tha Vuçeviç.
Nuk munguan sulmet dhe akuzat ndaj BE dhe NATO. Sipas ministrit serb, KFOR dështoi me garantimin e sigurisë. Në të njëjtën linjë edhe kryeministrja serbe, Ana Bërnabiç.
“Unë nuk kam asnjë fjalë të mirë për partnerët tanë të BE-së apo partnerët tanë të KFOR-it. Reagimi i tyre ishte i vonuar, ata duhet të ishin atje të premten ashtu siç janë sot. Mandati i tyre në bazë të rezolutës 12 44 të OKB-së është për të mbrojtur paqen dhe stabilitetin dhe mbi të gjitha njerëzit. Sot nuk mbrojnë njerëzit, nuk mbrojnë demokracinë, nuk mbrojnë institucionet, ata janë atje sot për të mbrojtur uzurpatorin, nga demokracia dhe qytetarët e thjeshtë”, tha Bërnabiç.
Sot pati sërish tensione në veri të Kosovës. Serbët dolën për të bllokuar futjen në zyra të kryetarëve të rinj, ndërkohë që policia u përgjigj me gaz lotsjellës.
Lini një Përgjigje