TAGS-AT E JAVËS

Kosova 9 Maj 2026, 14:11

Osmani kandidate për presidente e LDK-së, Abdixhiku për kryeministër

Shkruar nga Pamfleti
Osmani kandidate për presidente e LDK-së, Abdixhiku për
LDK

Kreu i LDK-së propozon “listë bashkuese” për zgjedhjet e 7 qershorit dhe bën thirrje për unitet brenda partisë

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka propozuar që në zgjedhjet e 7 qershorit partia të garojë me presidenten aktuale Vjosa Osmani si kandidate për presidente të Republikës, ndërsa ai vetë të jetë kandidat për kryeministër.

Propozimi u bë gjatë mbledhjes së përbashkët të Kryesisë qendrore dhe kryetarëve të degëve të LDK-së, ndërsa më pas Abdixhiku e paraqiti atë edhe në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të partisë, duke kërkuar miratimin përfundimtar nga strukturat drejtuese.

Në fjalimin e tij, Abdixhiku tha se ideja për një listë të përbashkët synon bashkimin politik dhe forcimin e rolit të LDK-së në skenën politike të vendit.

“Kam shtruar para tyre propozimin tim për një listë bashkuese. Një listë që nuk ndërtohet mbi rehati politike, por mbi përgjegjësi shtetërore. Në këtë listë kam propozuar garim të përbashkët për President të Republikës dhe Kryeministër të Republikës”, deklaroi ai.

Sipas Abdixhikut, LDK duhet të paraqitet në zgjedhje me një ofertë që tejkalon interesat individuale dhe ndasitë politike, duke e cilësuar momentin aktual si vendimtar për të ardhmen e vendit.

“Kam propozuar që LDK të garojë me presidenten Vjosa Osmani si kandidate për presidente të Republikës dhe njëkohësisht bartëse të listës dhe me mua si kandidat të LDK për kryeministër të Republikës”, tha kreu i LDK-së.

Në adresimin para delegatëve, Abdixhiku vuri theks të veçantë te nevoja për bashkim të plotë brenda partisë, duke theksuar se uniteti është kusht për forcimin e LDK-së dhe përballimin e sfidave politike në Kosovë.

Ai tha se vendi ka nevojë për rikthim të fuqisë në politikën e jashtme dhe për rivendosje të besimit me partnerët ndërkombëtarë.

“Ky bashkim nuk është vetëm përgjigje ndaj një pale politike. Ky bashkim është antidot ndaj gjendjes në të cilën ka rrëshqitur Kosova. Kosova sot ka nevojë ta rikthejë fuqinë e saj në politikën e jashtme. Ka nevojë ta rikthejë besimin me aleatët strategjikë. Ka nevojë për një gjuhë serioze shtetërore, për një përfaqësim dinjitoz dhe për një orientim të qartë euroatlantik”, deklaroi Abdixhiku.

Ai u ndal edhe te raportet brenda partisë, duke kërkuar tejkalimin e mosmarrëveshjeve dhe mënjanimin e interesave personale.

“Askush nuk e ka luksin e inatit personal. Askush nuk e ka luksin e hatërmbetjeve. Askush nuk ka të drejtë të vendosë veten mbi nevojën që ka Republika për një LDK të fortë, të bashkuar dhe të gatshme për betejat që na vijnë”, tha ai.

Sipas Abdixhikut, procesi i diskutimeve brenda partisë nuk ka qenë i lidhur me ndarje postesh apo marrëveshje politike, por me, siç tha ai, një proces reflektimi për të ardhmen e Kosovës.

“Nuk ka qenë proces për pazare politike, nuk ka qenë proces për ndonjë fotografi elektorale; ka qenë proces ndërgjegjësimi. Proces ku secili prej nesh është dashur të bëjë një pyetje të vetme: Çfarë është më e rëndësishme sot? E kaluara jonë personale apo e ardhmja e Republikës së Kosovës?”, deklaroi ai.

Në fund të fjalimit, kreu i LDK-së tha se partia duhet të hyjë në zgjedhje e bashkuar, duke e cilësuar këtë periudhë si moment për mobilizim politik dhe jo për ndarje të brendshme.

“Kjo nuk është kohë për ndarje. Kjo nuk është kohë për ego. Kjo nuk është kohë për mure brenda shtëpisë sonë politike. Kjo është kohë vetëm për një gjë: për bashkimin e madh të Lidhjes Demokratike”, tha Abdixhiku.

 

vjosa osmani abdixhiku ldk

Lini një Përgjigje