TAGS-AT E JAVËS

Kosova 8 Shkurt 2024, 21:40

Nis përballja Kosovë-Serbi në OKB, Vuçiç akuza Kurtit: Është në ballë të persekutimit të serbëve!

Shkruar nga Pamfleti

Nis përballja Kosovë-Serbi në OKB, Vuçiç akuza

Ka nisur në New York seanca e jashtëzakonshme e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për situatën në Kosovë, pas kërkesës së Serbisë.

Kosova përfaqësohet nga kryeministri Albin Kurti dhe ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, ndërsa Serbia përfaqësohet nga presidenti serb, Aleksandar Vuçiç. Në këtë mbledhje urgjente do të diskutohet për vendimin për ndalimin e përdorimit të dinarit nga Banka Qendrore e Kosovës.

Në fjalën hapëse, shefja e misionit të UNMIK-ut, Caroline Ziadeh, ka akuzuar Kosovën se me vendimin e Bankës Qendrore për ndalimin e dinarit ka provokuar tensione.

Pa marrë parasysh ligjshmërisë dhe arsyetimit, veprimet duhet të merren duke marrë parasysh ndikimin te popullata e prekur. Në të kundërtën, këto veprime rrisin tensionet”, tha Ziadeh.

Në raport ajo ka përmendur marrëveshjet e arritura vitin e shkuar dhe sulmin në Banjskë të cilin e cilësoi si incident tejet serioz.

Ndërkohë që presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç në fjalën e tij ka akuzuar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, se ju prin persekutimeve ndaj serbëve të Kosovës.

Ai gjithashtu ka akuzuar institucionet e Kosovës se kanë krijuar kushte të padurueshme për serbët, duke shtuar se kanë bërë edhe sulme sistematike dhe persekutim. Ai theksoi se këto politika të Kosovës, mund të shkaktojnë dëme të pariparueshme te serbët në Kosovë.

Mund të shkaktojnë dëme të pariparueshme deri në takimin e ardhshëm për raportimin e radhës së UNMIK-ut. Kemi kërkuar këtë takim për shkak të veprimit të Bankës së ashtuquajtur të Kosovës për ndalimin e dinarit. I ashtuquajturi lidership ka vazhduar sulmet ndaj popullatës serbe dhe ka kulmuar pasi që mbijetesa i tyre në provincën jugore varet nga buxheti i Serbisë. Ky është sulm ndaj popullatës serbe dhe e bën situatën në Kosovë të vështirë. Prishtina po i pamundëson veprimet e të gjitha institucioneve shëndetësore, kulturore e arsimore që ofrojnë kushtet bazike. Çdo parandalim i financimit të spitaleve, shkollave e çerdheve të Serbisë është sulm i drejtpërdrejt ndaj serbëve dhe ndaj themelimit të Asociacionit”, ka thënë Vuçiç.

Më tej Vuçiç ka thënë se janë regjistruar rreth 470 sulme të motivuara etnikisht ndaj serbëve dhe Kishës serbe në Kosovë, që prej kohës kur qeverinë e udhëheq Albin Kurti.

Ai është në ballë të persekutimit të serbëve”, ka deklaruar Vuçiç.

Kujtojmë se të hënën, Serbia kërkoi seancë të jashtëzakonshme të Këshillit të Sigurimit të OKB-së për shkak të situatës në Kosovë, për të cilën pretendon se është “në kontrast të fortë me Kartën e OKB-së dhe Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së”.

Dy herë në vit, në prill dhe tetor, Këshilli i Sigurimit i OKB-së mban seanca të rregullta për situatën në Kosovë, ku diskutohen raportet gjashtëmujore të sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres për punën e Misionit të OKB-së në Kosovë (UNMIK). Seanca e fundit e tillë u mbajt më 23 tetor 2023.

kosova serbia

Lini një Përgjigje