
Autoritetet e Kosovës kanë ndaluar një kamion me dinarë serbë në kufi. Lajmi u bë i ditur nga zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi. Përmes një shkrimi tha se rregullorja e BQK-së parashikon saktë se kush mund të dërgojë para në Kosovë, teksa ka akuzuar Serbinë për nxitje të tensioneve.
Bislimi përmes një postimi në Facebook, tha se personat që transportonin dinar serb u prezantuan me kredenciale të një kompanie inekzistente dhe se ato po i dërgonin “tek një entitet po ashtu inekzistent në Kosovë”.
“Si përgjigje ndaj kësaj, sot Banka ekuivalente e Serbisë (një ditë para mbledhjes së thirrur të Këshillit të Sigurimit), ka dërguar një kamion me para (plot 117.000.000 dinarë) në kufi, në përcjellje të individëve që prezantohen me kredenciale të një kompanie inekzistente, me pretendimin që paratë duan t’i dërgojnë tek një entitet poashtu inekzistent në Kosovë dhe për interes të përfituesve, emrat e të cilëve as i dijnë e as nuk i kanë. Paramendojeni një paralele ku para inspektorit doganor, shfaqet një kamion me mallra të konsumit të përditshëm, nga individë që prezantohen në emër të kompanive inekzistuese, dhe pretendojnë që mallin janë duke e dërguar tek një kompani, e cila po ashtu nuk figuron askund në regjistrat zyrtarë të shtetit”, ka shkruar Bislimi.
Që nga 1 shkurti, në Kosovë ka hyrë në fuqi një rregullore e Bankës Qendrore të Kosovës, e cila parashikon që euro të jetë valuta e vetme për pagesa në Kosovë, duke ndaluar përdorimin e dinarit serb.
Lini një Përgjigje