Një urdhër drithërues është lëshuar sot në mëngjes nga kupola ushtarake e NATO-s në Mons të Belgjikës...
Ndërsa selia qendrore politike e NATO është në Bruksel, komanda militare ndodhet në fshatin Casteau të provincës së Valonisë, pranë qytetit të Mons-it.
Urdhërat dhe lëvizjet që bëhen nga SHAPE, siç quhet shtabi i përgjithshëm ushtarak i NATO-s, konsiderohen nga mediat dhe analistët që e njohin situatën, si zhvillime operative.
Ishin pikërisht zhvillimet në SHAPE që treguan muaj përpara bombardimit të Serbisë në vitin 1999, se po përgatitej për luftë.
Si atëherë, një urdhër i ngjashëm ka dalë sot nga SHAPE, ku kryekomandanti i trupave aleate në Europë, ka urdhëruar të gjithë personelin militar dhe administrativ që të pezullojnë pushimet për këtë verë.
Urdhër, që e bëjnë të ditur disa media serbe, të cilat i referohen burimeve ushtarake.
Të mësuar me precedentin e vitit 1999, serbët e konsiderojnë këtë urdhër administrative që ka dalë nga Casteau, si një ogur i ardhjes së një erë të fortë konflikti. E nuk bëhet fjalë për Ukrainën, pasi siç dihet, NATO, përkatësisht, Komanda e Jugut, nuk ka lidhje me situatën që menaxhon komanda veriore.
Ndërkaq, në më shumë se 1 vit konflikt, nuk ka pasur një urdhër të tillë.
Gazeta serbe ‘Novosti’, thekson se NATO ka të dhëna për trazira të forta në veri të Kosovës, e si pasojë do të rrisë shumë shpejt kontigjentet e trupave që do të dërgojë në ndihmë të KFOR.
‘Pamfleti’, disa ditë më parë bëri të ditur nga burime diplomatike, se shërbimi sekret i NATO-s, ka shpërndarë një qarkore që paralajmëron një operacion të frikshëm që është përgatitur nga GRU ruse në Kosovë.
Ndërkaq, siç bën të ditur ‘Veçernie Novosti’, Presidenti serb, Aleksandër Vuçiç është nisur direkt në komandën ushtarake të Serbisë që është instaluar pranë Kosovës, në atë që quhet “Zona e Sigurisë Tokësore”.
Një ditë më parë, Vuçiç i ka dërguar një shkresë zyrtare sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, ku i bën me dije se “ushtria serbe nuk e ka kaluar asnjëherë kufirin. Nëse do ta kalojë, do të informojë paraprakisht NATO-n”. Një qëndrim që nëse është sjellë saktë nga gazeta serbe përbën skandal më vete. Pasi bën të kuptojë se trupat serbe nuk do të marrin leje nga NATO, pra nuk do të kërkojnë autorizim, por thjesht do ta informojnë Aleancën.
“Nuk do të informojmë më askënd, përveç ngritjes apo uljes së gatishmërisë luftarake, përveç detyrimeve tona ndaj NATO-s, të cilat do t'i përmbushim gjithmonë dhe plotësisht në përputhje me Rezolutën 1244. Do të përpiqemi të ruajmë paqen, por i paralajmërojmë të gjithë ata që nuk janë të interesuar për paqen dhe që duan që serbët të dëbohen nga veriu i Kosovës, që e bëjnë fshehtas dhe jo aq me zë të lartë, se kjo nuk do të ndodhë.
Kjo është gjithçka që duhet t'u them atyre. Le të mendojnë, le të pretendojnë se po luaj bllofin. S’më intereson fare, por thjesht po paralajmëroj se kjo nuk do të ndodhë”, tha Vuçiç./ Pamfleti
Lini një Përgjigje