
Një takim trepalësh në Bruksel mes kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë me ndërmjetësimin e përfaqësuesit të posaçëm të BE-së, Mirosllav Lajçak, përfundoi pa ndonjë pajtim të martën vonë.
Kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi, e akuzoi palën serbe dëshiron vetëm zbatimin e pjesshëm të Marrëveshjes Bazë, ndërsa kryenegociatori serb, Petar Petkoviq, e kritikoi palën kosovare se nuk dëshiron ta themelojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe.
"Pika e vetme e agjendës në të cilën ne duhej të shënonin përparim ishte diskutimi i finalizimit të planit të sekuencimit. Megjithatë nga pala serbe u bë e qartë prej fillimit se ata duan të zbatojnë vetëm pjesë të Marrëveshjes Bazë, që janë në harmoni me vijat e tyre të kuqe. Ne nuk i kemi parë kurrë ato vija të kuqe", tha Bislimi për gazetarë pas takimit.
Petkoviç, ndërkohë, i cilësoi takimet si "të vështira, dhe shtoi se ai nguli këmbë në themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
“Një nga çështjet kyçe është pranimi i draftit të Asociacionit, të përgatitur nga BE-ja. Beogradi është gati ta pranojë atë. Drafti është vendimtar dhe është hapi kryesor në drejtim të themelimit të Asociacionit”, tha Petkoviç.
Paraprakisht, Lajçaku zhvilloi takime të ndara dypalëshe me Petkoviqin dhe Bislimin.
Bislimi tha se gjatë periudhës së verës nuk do të ketë më takime në Bruksel. Ai bëri të ditur se deri më 18 korrik palët do të dërgojnë komentet e tyre lidhur me planin e zbatimit të Marrëveshjes. Pas këtyre komenteve, sipas tij, pala evropiane do ta nxjerr një propozim të ri për zbatimin e Marrëveshjes.
Marrëveshja për rrugën e normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë u arrit në fillim të vitit 2023, por nuk u zbatua.
Ajo, mes tjerash, i kërkon Kosovës t’i ofrojë një nivel vetëmenaxhimi komunitetit serb, ndërsa Serbisë të mos e pengojë anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare.
Për zbatimin e saj, javën e kaluar në Bruksel u thirrën edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Por, Kurti nxori disa kërkesa për vazhdimin e dialogut - përfshirë nënshkrimin e marrëveshjes tërheqjen e letrës zyrtare e dorëzuar në BE nga ish-kryeministrja serbe, Ana Bërnabiq, vitin e kaluar - që Vuçiq nuk i pranoi.
Bislimi tha se Petkoviqi e bëri përsëri të qartë se Serbia nuk do t'i plotësojë këto kushte.
"Ata e kanë bërë të qartë se për ta ka pjesë të Marrëveshjes që nuk i zbatojnë dhe ka pjesë të cilat nuk mund dhe nuk do t’i zbatojnë. Në kërkesën time që Sërbia ta tërheqë letrën e zonjës Bërnabiq, Petkoviq tha se letra e saj pasqyron pozicionet e presidentit Vuçiq", tha Bislimi.
Normalizimi i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë është kusht për të dyja që të avancojnë në rrugën e integrimit evropian. /REL
Lini një Përgjigje