Komisionerja e Bashkimit Evropian për Zgjerim, Marta Kos, deklaroi gjatë vizitës së saj në Prishtinë, se avancimi i Kosovës drejt Bashkimit Evropian varet nga përmbushja e reformave dhe nga ecuria e dialogut me Serbinë.
Në konferencën për mediat me kryeministrin në detyrë Albin Kurti, Kos tha se BE-ja e sheh Kosovën si pjesë të unionit, por theksoi se procesi lidhet drejtpërdrejt me zhvillimet politike dhe negociatat me Beogradin.
“Sigurisht që ka vend për Kosovën në BE, ne nuk punojmë zakonisht me data. Sa më e suksesshme të jetë Kosova në përmbushjen e reformave, sa më e suksesshme të jetë në dialogun Prishtinë-Beograd, aq më të mëdha janë gjasat që të jemi në gjendje të nisim negociatat, kjo është pjesa politike. Nuk mund të jap vitin, por jam 100% e sigurt dhe do të punoj pa pushim me synimin që ta afrojmë Kosovën gjithmonë e më afër BE-së”, tha Kos.
Komisionerja europiane u ndal edhe te situata politike në Kosovë dhe kërkoi stabilitet institucional, në një kohë kur vendi po përballet me bllokim politik.
Ajo tha se përveç reformave teknike, Kosova duhet të punojë edhe me shtetet anëtare të BE-së për të fituar mbështetje politike.
“Siç e dini, procesi i anëtarësimit ka një pjesë të negociatave teknike, ndërsa pjesa tjetër lidhet me dinamikën politike në shtetet anëtare. Dhe thirrja ime për veprim ndaj çdo vendi kandidat është që të angazhohet edhe me shtetet anëtare, dhe atëherë kjo mund të ndodhë. Prandaj nuk mund t’ju jap një vit të caktuar, por jam 100% e sigurt dhe do të punoj pa u lodhur për qëllimin që ta afroj Kosovën gjithnjë e më shumë me Bashkimin Evropian”, shtoi Kos.
Lini një Përgjigje