Pas konstituimit të suksesshëm të Kuvendit të Kosovës më herët gjatë ditës së sotme, kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Albin Kurti, ka shkuar te presidentja e Republikës, Vjosa Osmani, për të marrë zyrtarisht mandatin për formimin e Qeverisë së re.
Paraprakisht, Kryesuesja e Këshillit të Përgjithshëm të LVV-së, Arbërie Nagavci, i ka dorëzuar presidentes Osmani propozimin zyrtar për caktimin e Albin Kurtit si mandatar për kryeministër. Sipas procedurave kushtetuese, pas propozimit nga partia fituese me shumicën relative të mandateve (LVV), presidentja dekreton mandatarin, i cili më pas ka deri në 15 ditë kohë për të paraqitur në Kuvend përbërjen e Qeverisë dhe programin qeverisës për votim besimi.

Takimi i Kurtit me Osmanin vjen menjëherë pas seancës konstituive, ku u zgjodh Albulena Haxhiu si kryetare e Kuvendit dhe u plotësuan nënkryetarët (përfshirë përfaqësuesin e Listës Serbe). Kjo hap rrugën për seancën e re plenare që pritet të mbahet sonte, ku rendi i ditës fokusohet te avancimi i procesit për formimin e ekzekutivit të ri pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit 2025.
Ende nuk janë bërë publike detaje konkrete për përbërjen e mundshme të kabinetit qeveritar, postet kyçe apo koalicionet e nevojshme për shumicën parlamentare, LVV synon të sigurojë mbështetje të mjaftueshme për Qeverinë Kurti III.
Seanca e Kuvendit pritet të nisë në orët e mbrëmjes dhe mund të shërbejë si hap i parë drejt votimit të Qeverisë së re.
Lini një Përgjigje