Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, deklaroi se aleanca monitoron në vazhdimësi zhvillimet që lidhen me sigurinë në Ballkanin Perëndimor dhe mban komunikim të rregullt me autoritetet në Serbi.
Para takimit me ministrat e Mbrojtjes të vendeve anëtare, Rutte u ndal te situata në Kosovë dhe kërkoi llogaridhënie për ngjarjet e vitit 2023. Ai bëri të ditur se NATO pret sqarime për sulmin e 24 shtatorit në Banjskë dhe për episodet e dhunës në veri gjatë të njëjtit vit.
Rutte theksoi se aleanca qëndron në kontakt të ngushtë me presidentin e Serbisë dhe se ndjek zhvillimet përmes misionit të KFOR-it, si në Kosovë ashtu edhe në Bosnjë. Sipas tij, NATO mbetet e përfshirë drejtpërdrejt në çështjet e sigurisë në rajon.
“Unë por edhe aleanca jemi në kontakt të ngushtë me presidentin serb. Jemi duke pritur për lloogaridhënie për atë që ka ndodhur në Banjskë në vitin 2023 dhe për ngjarjet e tjera më 2023. Ndjekim nga afër ngjarjet dhe përmes KFOR-it dhe aktivitetet e tjera në Ballkanin Perëndimor, si në Bosnjë dhe Kosovë, ne jemi shumë të përfshirë dhe i ndjekim gjërat nga afër”, ka thënë Rutte.
Sulmi i armatosur në Banjskë la të vrarë efektivin e Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku. Prokuroria ka ngritur aktakuzë ndaj rreth 40 personave që ndodhen në Serbi, përfshirë Milan Radoiçiqin. Të pandehurit akuzohen se përdorën armatim të rëndë me synimin për të shkëputur veriun e Kosovës dhe për ta bashkuar me Serbinë. Si pasojë e përplasjes u vranë edhe tre sulmues, ndërsa të tjerët u larguan drejt Serbisë pasi qëndruan për disa orë në Manastirin e Banjskës.
Milan Radoiçiq, ish-nënkryetar i Listës Serbe, ka pranuar se organizoi sulmin. Autoritetet serbe nuk kanë ndërmarrë hapa për dorëzimin e të akuzuarve.
Në maj 2023, tensionet në veri u përshkallëzuan pas vendosjes së kryetarëve shqiptarë në ndërtesat komunale në Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok. Protestat e serbëve u shoqëruan me përplasje me trupat e KFOR-it. Gjatë incidenteve u lënduan ushtarë të misionit dhe përfaqësues të mediave.
Lini një Përgjigje