Albulena Haxhiu u zgjodh kryetare e Kuvendit të Kosovës me 66 vota pro, 44 kundër dhe 8 abstenim.
Gjatë fjalës së saj, Haxhiu premtoi se do t’u shërbejë me përkushtim qytetarëve të Kosovës.
Haxhiu ka folur lidhur edhe për gjyqin ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi dhe Kadri Veseli në Hagë. Prokuroria kërkoi 180 vite burg në total për ish-drejtuesit e UÇK-së.
Haxhiu tha se lufta e UÇK-së ishte një luftë e drejtë për liri e pavarësi dhe kërkoi që Haga të kthejë në shtëpitë e tyre ish-krerët që sipas saj, po përballen me akuza të rreme.
Kryetarja e Kuvendit të Kosovës u shpreh gjithashtu se kriminelët e vërtetë të luftës ishin nga Serbia, por nuk morën kurrë dënimet përkatëse.
“Ju falenderoj për besimin e dhënë. Sot e marrë këtë detyrë me vetëdije të plotë për peshën kushtetuese që ajo mbart. Të qenit në krye të Kuvendit do të thotë t’i shërbesh republikës. Do të sigurohem që secili prej jush ta gjejë hapësirën e vet këtu. Sot në këtë sallë ne kemi një detyrë të përbashkët, që t’u shërbejmë qytetarëve me ndershmëri.
Lufta e UÇK-së ka qenë luftë e drejtë për çlirim. Dihet kush ka qenë agresori dhe kush ka kryer krime në vendin tonë. Ato krime janë kryer nga Serbia dhe kriminelët nuk kanë mbajtur kurrë përgjegjësi. Kriminelët e luftës u ricikluan në pushtet. Ne presim që ish-krerët e UÇK-së të kthehen sa më parë te familjet e tyre”, tha mes të tjerash Haxhiu.
Lini një Përgjigje