
Ka nisur seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës, me 118 deputetë të pranishëm në sallë, duke shënuar hapin e parë drejt funksionalizimit të legjislaturës së re.
Në fillim të seancës u bë formimi i Komisionit të përkohshëm për verifikimin e kuorumit dhe të mandateve të deputetëve. Ky komision u ngrit pasi të gjitha subjektet politike propozuan nga një përfaqësues, ndërsa detyra e tij është të konfirmojë vlefshmërinë e mandateve dhe ekzistimin e kuorumit, procedurë e domosdoshme për vijimin e punimeve.
Pas verifikimit të mandateve, deputetët bënë betimin solemn, duke marrë zyrtarisht detyrën. Menjëherë pas kësaj faze, seanca do të vijojë me zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit, një nga momentet kyçe të konstituimit të plotë të institucionit. Në vazhdim, deputetët do të procedojnë edhe me zgjedhjen e nënkryetarëve të Kuvendit.
Seanca ishte thirrur nga presidentja Vjosa Osmani, fillimisht për në orën 12:00, por ishte shtyrë për shkak të procesit gjyqësor që po zhvillohet në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së. Thirrja e saj erdhi një ditë pasi Komisioni Qendror i Zgjedhjeve certifikoi rezultatet e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit.
Sipas të dhënave zyrtare të KQZ-së, Lëvizja Vetëvendosje ka dalë forca e parë me 51.10% të votave, duke siguruar 57 ulëse në Kuvend. Partia Demokratike e Kosovës ka fituar 22 ulëse, Lidhja Demokratike e Kosovës 15, ndërsa Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës gjashtë ulëse. Nga ulëset e rezervuara për komunitetin serb, nëntë mandate i ka marrë Lista Serbe dhe një Partia për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë.
Lini një Përgjigje