Ditën e sotme, 11 shkurt 2026 po të mbahet dita e tretë e gjykimit të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi dhe Kadri Veseli në Hagë.
Në seancat e mëparshme foli Prokuroria dhe pala që mbron viktimat.
Prokuroria kërkoi 180 vite burg në total për ish-drejtuesit e UÇK-së. Pas fjalës së Prokurorisë dhe palës mbrojtëse të viktimave, sot po flet pala mbrojtëse e Thaçit dhe ish-komandantëve të tjerë të UÇK-së.
Avokati Luka Mishetiç tha se Hashim Thaçi nuk ka qenë në Kosovë në një pjesë të madhe të kohës që përmendet në aktakuzë dhe që nuk ka prova se ai ka marrë pjesë në takimet e Shtabit të Përgjithshëm.
Avokati vijoi të rrëzonte pretendimet e Prokurorisë se UÇK ka pasur sistem funksional komandimi nga Shtabi i Përgjithshëm te zonat.
Ai argumentoi se vetë Prokuroria më pas ka thënë se mënyra themelore përmes së cilit kanë komunikuar anëtarët e ‘Ndërmarrjes së Përbashkët Kriminale" (NPK), ka qenë përmes komunikatave, deklaratave politike dhe deklaratave tjera, të cilat ushtarët i pranonin përmes mediave publike.
“Nga njëra anë Prokuroria thotë se Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK) ka pasur një sistem tërësisht funksionues të komandimit nga Shtabi i Përgjithshëm deri te zonat, mundësinë për të komunikuar mes Shtabit të Përgjithshëm dhe zonave, mundësinë për të lëshuar urdhra detyruese nga Shtabi i Përgjithshëm për anëtarët e zonave, si dhe mundësinë për të ushtruar disiplinë, për t’i dënuar nivelet më të ulëta në rast të moszbatimit të urdhrave”, tha ai.
Por, sipas Mishetiçit, pavarësisht këtyre pretendimeve, vetë Prokuroria më pas ka thënë se mënyra themelore përmes së cilit kanë komunikuar anëtarët e ‘Ndërmarrjes së Përbashkët Kriminale” (NPK), e kanë komunikuar politikën e tyre kundër kundërshtarëve, ka qenë përmes komunikatave, deklaratave politike dhe deklaratave tjera, të cilat ushtarët i pranonin përmes mediave publike.
“Zyra e Prokurorit të Specializuar nuk shpjegon se pse anëtarë të NPK-së nuk kanë lëshuar urdhra të cilët etiketonin të ashtuquajturit oponentë. Ne parashtrojmë se çështja e ZPS-së nuk është konsistente dhe në fakt nuk ka pasur as komandë dhe kontroll dhe as prova të besueshme që zonat i kanë interpretuar komunikatat si politikë për të kryer krime kundër personave të perceptuar që pengonin anëtarët e NPK-së që të kishin kontroll të plotë mbi Kosovën”, tha Mishetiç.
Lini një Përgjigje