Avokati i ish presidentit Hashim Thaçi, Luka Mishetiç, deklaroi para trupit gjykues se ish-presidenti i Kosovës është i pafajshëm dhe se ky duhet të jetë qëndrimi fillestar në procesin e vendimmarrjes.
“Kur t’i filloni kuvendimet tuaja, ju do të filloni nga qëndrimi se Hashim Thaçi është i pafajshëm dhe më pas ju do të vlerësoni nëse provat e paraqitura nga Zyra e Prokurorit të Specializuar ju kanë bindur juve, jashtë dyshimit të arsyeshëm, se Hashim Thaçi është fajtor”, u tha Mishetiç gjyqtarëve.
Në argumentimin e tij, avokati solli në vëmendje edhe dëshmitë e disa diplomatëve ndërkombëtarë, të cilët, sipas tij, kanë pohuar se Thaçi ka bërë thirrje kundër përdorimit të dhunës.
"Thaçi nuk ishte person që mund të kryente dhunë”, citoi avokati, duke shtuar se prokuroria po përpiqet të vërë në dyshim besueshmërinë e këtyre dëshmive.
“Pretendimet e ZPS-së se ndërkombëtarët nuk ishin të informuar saktë, është karakteristikë e veçantë duke marrë parasysh mënyrën e centralizuar të komunikatave të UÇK-së dhe intervistat në televizione. Provat dhe dëshmitë e këtyre dëshmitarëve ndërkombëtarë, rikonfirmohen fuqishëm nga zyrtarë të lartë të UÇK-së”, tha avokati.
Mbrojtja synon të kundërshtojë akuzat e ngritura nga Zyra e Prokurorit të Specializuar, duke theksuar se provat e paraqitura nuk arrijnë standardin e kërkuar për të provuar fajësinë përtej çdo dyshimi të arsyeshëm.
Lini një Përgjigje