TAGS-AT E JAVËS

Kosova11 Shkurt 2026, 08:15

Haga kërkon 45 vite burg për secilin, sot flet mbrojtja e ish-krerëve të UÇK-së

Shkruar nga Pamfleti

Kryeprokurorja Kimberly West ka kërkuar dënim me nga 45 vjet burg për secilin prej katër të akuzuarve: Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.

Haga kërkon 45 vite burg për secilin, sot flet mbrojtja e
Ish krerët e UÇK-së

Ekipi mbrojtës i Hashim Thaçit do të paraqesë sot fjalën përmbyllëse në Gjykatën Speciale në Hagë, në kuadër të fazës përfundimtare të procesit gjyqësor ndaj ish-udhëheqësve të UÇK-së.

Në ditën e tretë të kësaj faze, avokati i Thaçit, Luka Mishetiq, pritet të nisë deklaratën përmbyllëse në orën 09:00. Seanca zhvillohet pas përfundimit të paraqitjes së Prokurorisë së Specializuar, e cila një ditë më parë mbylli argumentet e saj.

Prokuroria ka pretenduar se Hashim Thaçi ka dhënë deklarime të pasakta ndaj përfaqësuesve ndërkombëtarë dhe ka kërkuar që qëndrimet e mbrojtjes të shqyrtohen me kujdes, veçanërisht në raport me rolin e UÇK-së dhe drejtuesve të saj. Sipas Zyrës së Prokurorit të Specializuar, gjatë hetimeve janë administruar mbi pesë mijë prova materiale dhe janë intervistuar më shumë se 130 dëshmitarë.

Kryeprokurorja Kimberly West ka kërkuar dënim me nga 45 vjet burg për secilin prej katër të akuzuarve: Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.

Pas Prokurorisë, para trupit gjykues ka paraqitur fjalën përmbyllëse edhe mbrojtësi i viktimave, Simon Laws. Ai ka referuar dëshmi që, sipas tij, tregojnë për keqtrajtim dhe pasoja psikologjike afatgjata te disa prej viktimave. Laws ka theksuar se, sipas provave të paraqitura, individë të caktuar kanë kryer krime, por kjo nuk nënkupton që UÇK-ja si organizatë të cilësohet kriminale. Ai ka kërkuar që në vendimin përfundimtar të merret në konsideratë zëri i viktimave pjesëmarrëse në proces.

Gjatë kësaj dhe javës së ardhshme, Prokuroria, mbrojtja e viktimave, ekipet mbrojtëse dhe të akuzuarit do të kenë mundësinë t’i drejtohen për herë të fundit trupit gjykues me parashtrimet e tyre përfundimtare.

Pas mbylljes së deklaratave, çështja do të kalojë për shqyrtim te gjykatësit, të cilët kanë afat tre muaj për të shpallur vendimin ose për të kërkuar shtyrje të këtij afati.

Në Kosovë, Kuvendi ka shtyrë seancën plenare të planifikuar për në mesditë, duke e zhvendosur për në orën 17:00, për shkak se mbrojtja pritet të paraqesë argumentet gjatë gjithë ditës.

Ish-krerët e UÇK-së përballen me akuza të ngritura nga Zyra e Prokurorit të Specializuar, të cilat ata i kundërshtojnë. Mbrojtja ka argumentuar se akuzat janë të pabazuara dhe ka theksuar se UÇK-ja nuk kishte një strukturë të organizuar komanduese në formën që pretendohet nga Prokuroria.

Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi ndodhen në paraburgim në Hagë që prej nëntorit 2020, ndërsa gjykimi ndaj tyre ka nisur më 3 prill 2023.

Me nisjen e deklaratave përmbyllëse të mbrojtjes, procesi hyn në fazën vendimtare, ndërsa vendimi përfundimtar do të përcaktojë epilogun e një prej çështjeve më të ndjekura gjyqësore që lidhen me periudhën e luftës në Kosovë.

dita e tretë e gjyqit në hagë

Lini një Përgjigje