Ish-komandanti i UÇK-së, Haxhi Shala, është liruar nga Gjykata Speciale në Hagë.
Haxhi Shala është liruar sot nga Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë dhe është kthyer në Kosovë, pas vendimit për modifikimin e dënimit të tij.
Vendimi u mor më 2 shkurt 2026 nga kryetarja e Dhomave të Specializuara, gjykatësja Ekaterina Trendafilova. Ai parasheh lirimin me kusht të Shalës për pjesën e mbetur të dënimit prej tre vitesh, me zbatimin e kushteve të përcaktuara nga gjykata.
Në arsyetimin e vendimit, kryetarja e trupit gjykues ka vlerësuar se Shala ka treguar shenja rehabilitimi. Gjykata ka marrë parasysh një letër të dërguar me iniciativë personale, në të cilën ai ka shprehur keqardhje për pasojat e mundshme të veprimeve të tij. Sipas vlerësimit gjyqësor, letra është shkruar pa ndihmë ligjore dhe pas një periudhe reflektimi, duke u konsideruar si shenjë distancimi nga veprat penale për të cilat është shpallur fajtor.
Gjykata ka vlerësuar gjithashtu rrethanat familjare, mjedisin e qëndrueshëm të jetesës dhe rrjetin shoqëror të Shalës, duke arritur në përfundimin se këto faktorë krijojnë kushte për rehabilitim, pavarësisht se veprat penale janë cilësuar si të rënda.
Rasti lidhet me aktakuzën e ngritur më 4 tetor 2023 ndaj Shalës, Sabit Januzit dhe Ismet Bahtijarit, për përpjekje për të ndikuar tek një dëshmitar që të mos japë dëshmi. Aktakuza e përbashrds e Prokurorit të Specializuar për këtë çështje ishte dorëzuar më 12 janar 2024.
Në Hagë, Haxhi Shala ishte dënuar me tre vjet burgim, ndërsa Sabit Januzi dhe Ismet Bahtijari me nga dy vjet burgim secili, duke përfshirë edhe kohën e kaluar në paraburgim.
Në të njëjtën periudhë, Dhomat e Specializuara kanë liruar me kusht edhe Bashkim Smakajn dhe Fadil Fazliun, të cilët po mbaheshin në paraburgim nën akuza për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, pas dorëzanisë së ofruar dhe me kushte të përcaktuara nga gjykata.
Lini një Përgjigje