TAGS-AT E JAVËS

Kosova 9 Shkurt 2026, 21:52

Kurti reagon për pretencën e Speciales: UÇK-ja bëri luftë të drejtë, po deformohen të vërtetat

Shkruar nga Pamfleti
Kurti reagon për pretencën e Speciales: UÇK-ja bëri
Albin Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar pas kërkesës së Prokurorisë Speciale në Hagë, e cila ka kërkuar gjithsej 180 vite burg për katër ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, përkatësisht nga 45 vite burg për secilin.

Në një reagim të gjatë, Kurti ka theksuar se lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishte një luftë e drejtë për mbijetesë dhe dinjitet, duke kundërshtuar fuqishëm përpjekjet për ta shkëputur atë nga konteksti historik dhe politik i kohës.

Thelbi moral dhe historik i luftës sonë çlirimtare konsiston në mbijetesën dhe dinjitetin e popullit. UÇK-ja ishte bartëse e një lufte të drejtë, ruajtëse dhe mbrojtëse. Ajo u zhvillua në rrethanat e okupimit të egër kur dhuna e apartheidit po shndërrohej në gjenocid shtetëror”, deklaron Kurti.

Kryeministri i Kosovës ka paralajmëruar se çdo tentativë për të trajtuar veprimet individuale jashtë këtij konteksti rrezikon, sipas tij, deformimin e së vërtetës historike.

Çdo përpjekje për t’i shkëputur veprimet individuale nga ky kontekst historik e politik rrezikon të deformojë të vërtetën dhe kuptimin e asaj lufte”, shprehet ai.

Duke iu referuar drejtpërdrejt kërkesës së Prokurorisë Speciale, Kurti ka deklaruar se UÇK-ja nuk ka pasur kurrë qëllim shfarosjeje ndaj ndonjë populli tjetër apo civilëve dhe se dënimet e kërkuara nuk mbështeten në standarde të pranuara ndërkombëtare.

Ne nuk kemi pasur kurrë plan shfarosje të asnjë populli tjetër apo të civilëve. Kërkesa e sotme e Prokurorisë në Hagë për dënim prej 45 vitesh burgim për secilin nga drejtuesit e akuzuar të UÇK-së nuk mbështetet në ndonjë standard të pranuar ndërkombëtar të dënimit”, vijon Kurti.

Sipas tij, kjo kërkesë injoron realitetin e luftës në Kosovë dhe përpiqet ta trajtojë çështjen jashtë çdo konteksti historik e juridik.

Ajo injoron plotësisht kontekstin e luftës në Kosovë dhe përpiqet ta vendosë këtë çështje në një vakuum juridik, duke shkëputur veprimet nga realiteti i një lufte çlirimtare”, ka shtuar kryeministri.

Në fund të reagimit, Kurti ka ritheksuar qëndrimin institucional të Kosovës në mbrojtje të luftës së UÇK-së dhe vlerave mbi të cilat u ndërtua shteti.

Republika e Kosovës mbetet e palëkundur në bindjen se UÇK-ja bëri luftë të drejtë dhe kryengritje anti-kolonialiste. Institucionet e Kosovës do të vazhdojnë të mbrojnë të vërtetën faktike e historike, vlerën dhe dinjitetin e luftës për liri si dhe parimet themelore të drejtësisë, duke kundërshtuar çdo orvatje për shtrembërimin e tyre”, përfundon Kurti.

 

kurti uck thaci

1 Komente

  1. S
    Sateri

    Shqiptaret nuk jane kaq budallenj sa te tallen prej ca qelbesirave te tilla qe duhet te pergjigjen per qendrimet e tyre agresive ndaj clirimtareve.

    Lini një Përgjigje