Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar pas kërkesë së Prokurorisë Speciale për të dënuar me 45 vite burg secilin prej 4 liderëve të UÇK.
Osmani shprehet se pavarësia e Kosovës ishte rezultat i vullnetit të popullit dhe i një sakrifice shekullore, duke kujtuar kontributin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe viktimat e shumta gjatë luftës.
Në një postim në Facebook, Osmani ka deklaruar se mijëra dëshmorë dhe civilë të pafajshëm dhanë jetën për lirinë e Kosovës, ndërsa UÇK-ja luftoi me heroizëm.
“Pavarësia e Kosovës ishte vullnet i popullit të Kosovës. Ishte sakrificë shekullore për të cilën dhanë jetën mijëra dëshmorë e civilë të pafajshëm e për të cilën luftuan, me heroizëm dhe me luftë të pastër, Ushtria Çlirimtare e Kosovës”, ka shkruar Osmani.
Presidentja ka theksuar se Serbia ka kryer krime të rënda gjatë luftës në Kosovë, të cilat i ka cilësuar si gjenocid, krime kundër njerëzimit dhe krime lufte.
“Gjatë luftës së fundit në Kosovë, Serbia kishte për qëllim shfarosjen e popullit shqiptar, qëllim të cilin e shpërfaqi nëpërmjet vrasjes dhe masakrimit të mijëra fëmijëve, grave, burrave e të moshuarve, dhunimeve, shkatërrimit të qindra mijëra shtëpive dhe dëbimit të mbi 80 për qind të qytetarëve nga shtëpitë e tyre”, ka theksuar ajo.
Osmani ka kritikuar gjithashtu përpjekjet për të barazuar luftën çlirimtare të UÇK-së me krimet e kryera nga Serbia, duke paralajmëruar se këto përpjekje dëmtojnë drejtësinë dhe paqen afatgjatë.
“Çdo përpjekje që tenton të barazojë luftën çlirimtare të UÇK-së me krimet e agresorit gjenocidal serb e minon besimin në drejtësi dhe e dëmton rëndë paqen afatgjatë”, ka shkruar presidentja.
Në fund, Osmani ka ritheksuar kërkesën për drejtësi dhe rëndësinë e ruajtjes së së vërtetës historike, duke nënvizuar se lufta e UÇK-së ishte e drejtë dhe e pastër dhe se kjo e vërtetë nuk mund të ndryshohet nga përpjekjet për rishkrim të historisë.
Lini një Përgjigje