Bashkimi Evropian ka reaguar ndaj arrestimit të një shtetasi të Kosovës nga autoritetet serbe, duke e cilësuar veprimin si shkelje të marrëveshjes për dialogun dhe drejtësinë të vitit 2015.
Një zëdhënës i Komisionit Evropian ka deklaruar se Serbia është e detyruar të mos nisë hetime apo ndjekje penale për krime të pretenduara të kryera në Kosovë, përveç rasteve kur kjo kërkohet nga institucionet e Kosovës.
Sipas BE-së, juridiksioni për krimet e luftës dhe veprat e tjera të rënda u takon autoriteteve kosovare dhe Serbia duhet të zbatojë zotimet e marra në dialog.
“Sipas kësaj marrëveshjeje, Serbia është zotuar që të mos iniciojë hetime penale apo ndjeje penale për krimet që pretendohet se janë kryer në Kosovë, përveç nëse një gjë e tillë kërkohet nga autoritetet e Kosovës.
Juridiksioni mbi pretendimet për krime të luftës dhe vepra të tjera serioze bie mbi institucionet e Kosovës. I bëjmë thirrje Serbisë që të respektojë zotimet e saj”, tha një zëdhënës i Komisionit Evropian për Radion Evropa e Lirë.
Më 5 shkurt, autoritetet serbe arrestuan Mitehat Llozhanin sapo ai hyri në territorin e Serbisë nga kufiri me Kroacinë. Beogradi e dyshon atë për krime kundër popullatës civile gjatë viteve 1998-1999, duke e lidhur me aktivitete të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Zonën Operative të Dukagjinit.
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka kërkuar angazhim të bashkësisë ndërkombëtare lidhur me këtë rast. Ndërkohë, Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së ka bërë të ditur se Llozhani ka marrë pjesë në disa stërvitje në Shqipëri, por sipas tyre nuk ka të dhëna se ka qenë në vijat e frontit në Kosovë.
Përfaqësues të kësaj organizate kanë sqaruar se gjatë kontrollit nga autoritetet serbe atij iu gjet kartela e veteranit.
Serbia ka arrestuar edhe më herët shtetas të Kosovës nën dyshime për krime lufte të lidhura me periudhën 1998-1999. Gjatë vitit 2025 janë shënuar disa raste të tilla, disa prej të cilave kanë përfunduar me lirime pas periudhave të paraburgimit.
Lini një Përgjigje