Me 66 vota për, 44 kundër dhe 8 abstenime, Albulena Haxhiu (nga Lëvizja Vetëvendosje) u zgjodh kryetare e Kuvendit të Kosovës për legjislaturën e dhjetë...
Në seancën konstituive të legjislaturës së dhjetë të Kuvendit të Republikës së Kosovës, sot u verifikuan mandatet e deputetëve të rinj dhe u betuan zyrtarisht 118 deputetë.
Pas raportit të Komisionit të përkohshëm për verifikimin e kuorumit dhe mandateve, deputetët dhanë betimin solemn para Kuvendit. Pas nënshkrimit të betimit nga deputetët, seanca vijoi me procedurën e zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit.
Me 66 vota për, 44 kundër dhe 8 abstenime, Albulena Haxhiu (nga Lëvizja Vetëvendosje) u zgjodh kryetare e Kuvendit të Kosovës për legjislaturën e dhjetë.
Kjo është hera e parë që ajo arrin të sigurojë shumicën e nevojshme në tentativën e parë, ndryshe nga legjislatura e nëntë ku kishte dështuar në disa raunde votimi. Haxhiu ishte gruaja më e votuar në zgjedhjet parlamentare të 28 dhjetorit 2025, duke marrë mbi 174 mijë vota personale.
Në fjalimin e parë si kryeparlamentarja e re e Kosovës, Albulena Haxhiu, tha se besimin për ta marrë këtë post do ta kthejë me punë të përditshme, transparencë e përkushtim të plotë.
“Sot e marr këtë detyrë më vetëdije të plotë me peshën kushtetuese që e mban. Këtë besim do ta nderoj me punë të përditshme, transparencë dhe përkushtim të plotë. Detyra ime do jetë që Kuvendi të funksionoj me dinjitet, transparencë dhe respekt të ndërsjellë, në përputhje me Kushtetutën, ligjet dhe praktikat parlamentare. Do përpiqem që secili prej jush ta gjej hapësirën e vet këtu me të njëjtin dinjitet dhe respekt, ngase një Kuvend funksional është parakusht për shtet të fortë dhe demokraci të qëndrueshme”, ka thënë ajo.
Më pas kaloi në votim zgjedhjen e 5 nënkryetarëve të Kuvendit. Ardian Gola i Lëvizjes Vetëvendosje, Vlora Çitaku e Partisë Demokratike të Kosovës, Kujtim Shala i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Emilja Rexhepi nga grupi multietnik dhe Sllavko Simiq i Listës Serbe janë zgjedhur nënkryetarë të rinj të Kuvendit të Kosovës.
Me zgjedhjen e 5 nënkryetarëve është mbyllur procesi i konstituimit të plotë të legjislaturës së re.
Kush është kryetarja e re e Kuvendit?
Albulena Haxhiu ka lindur më 11 maj 1987 në Prishtinë, ku jeton me familjen e saj. Është e martuar dhe nënë e tre fëmijëve. Ka përfunduar studimet në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës dhe studime pasuniversitare në Universitetin e Evropës Juglindore në fushën e së drejtës penale. Karrierën politike e nisi në shtator 2010 me anëtarësimin në Lëvizjen Vetëvendosje. U zgjodh deputete për herë të parë në 2013 dhe u rizgjodh në legjislaturat pasuese.
Në legjislaturat e pesta dhe të gjashta udhëhoqi Komisionin për Legjislacion dhe nënkomisionin për mandate, imunitete e rregullore. Pas zgjedhjeve të 2019-ës, ajo u emërua Ministre e Drejtësisë në Qeverinë Kurti I, detyrë që e mbajti edhe në Qeverinë Kurti II pas zgjedhjeve të 14 shkurtit 2021, deri në shkurt 2025 kur u rikthye si deputete dhe u propozua për kryeparlamentare.
Seanca konstituive pritet të vijojë me zgjedhjen e nënkryetarëve të Kuvendit, duke përmbyllur kështu procesin e konstituimit të plotë të legjislaturës së re. Kjo hap rrugën për negociatat e mëtejshme për formimin e Qeverisë së re pas zgjedhjeve të fundit parlamentare.
Lini një Përgjigje