Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, ka deklaruar se aktualisht çështja e anëtarësimit të Kosovës në NATO nuk është në agjendën e shteteve anëtare.
Kjo çështje u ngrit në seancë dëgjimore në Kongresin amerikan me sekretarin Rubio, ku kongresisti Keith Self i kërkoi atij ta mbështesë anëtarësimin e Kosovës në NATO, ndërkohë që rajonin e Ballkanin e përshkroi si “shumë të brishtë”.
Rubio ka sqaruar se nuk do të thotë se anëtarësimi nuk do të ndodhë kurrë, por se çështja nuk është folur në bisedat e fundit me aleatët tanë të NATO-s, për shkak të çështjeve të tjera në botë.
“Ajo që kam vënë re është se tani për tani, në përgjithësi, NATO është aq e përqendruar në disa çështje të tjera që janë ngritur këtu sot, saqë zgjerimi, veçanërisht në rastin e Kosovës, nuk është në plan të parë të agjendës së disa prej këtyre shteteve”, tha Rubio.
Kongresmeni Keith nga ana tjetër tha se integrimi i Kosovës është thelbësor për stabilitetin, dhe i kërkoi Rubios që çështjen e Kosovës ta ngrejë në samitin e NATO-s që do të mbahet në Ankara.
“Kemi katër aleatë të NATO-s që po bllokojnë hyrjen e Kosovës në NATO. Kemi çështjen e vështirë mes Kosovës dhe Serbisë, Serbia e konsideron Kosovën provincë, shumica e shteteve të botës e njohin Kosovën si shtet sovran. Ju kërkoj që ta mbështesni anëtarësimin e Kosovës në NATO... Prezenca e trupave tanë është shumë e rëndësishme në atë rajon, KFOR-i posaçërisht”, tha Self drejtuar Rubios.
Lini një Përgjigje