
Kreu i institutit “Inicativa Europiane për Stabilitetin”, Gerald Knaus, ka deklaruar se disa shtete anëtare të Këshillit të Europës po përgatiten të bllokojnë votimin për pranimin e Kosovës në Komitetin e Ministrave. Ai theksoi se dy prej shteteve që po përgatiten të bllokojën Kosovën, janë Franca dhe Gjermania.
“Aktualisht disa qeveri anëtare të Këshillit të Evropës, duke përfshirë Gjermaninë dhe Francën, po përgatiten të bllokojnë një votim për pranimin e Kosovës në maj, duke injoruar rekomandimin e fortë të Asamblesë së saj Parlamentare (APKiE) në prill”, tha ai.
Vetë liderët e Francës dhe Gjermanisë, presidenti Emmanuel Macron dhe kancelari Olaf Scholz, kanë telefonuar kryeministrin kosovar Albin Kurti për ta kushtëzuar anëtarësimin në KiE me hapa konkretë dhe urgjentë drejt themelimit të Asociacionit.
Knaus thotë gjithashtu se ky vendim pasohet nga një fushatë e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç, duke përfshirë edhe një apel personal drejtuar presidentit francez Macron që të mos lejojë votimin.
Ai përmend edhe angazhimin e Serbisë për të blerë 12 avionë luftarakë francezë Rafale.
“Në 75-vjetorin e tij, Këshilli i Europës është i ndarë për një çështje themelore: a kanë rëndësi vlerësimet ligjore dhe votat në APKiE? A është anëtarësimi për meritë apo është thjesht politik?”, pyet Knaus.
Lini një Përgjigje