Emisari i Posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, reagur sërish për sulmet e serbëve në veri të Kosovës.
Ai thotë se gjatë ditëve në vijim do të punojë në gjetjen e një rruge përpara, pa përmendur aspak akuzat e Vuçiç ndaj Kosovës ndonëse ishin serbët ata të sulmuan efektivët e Kosovës.
“Akti i tillë frikacak i dhunës është thellësisht shqetësues dhe është në kundërshtim me vetë parimet e paqes dhe bashkëpunimit. Zemra ime është për viktimat, familjet, miqtë dhe kolegët e tyre. Ky sulm i tmerrshëm thekson më tej domosdoshmërinë e diplomacisë dhe dialogut parandalues, nënvizuar gjatë javës së kaluar, kur mora pjesë në javën e nivelit të lartë të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në Nju Jork. Në margjinat e OKB-së, fola me drejtues dhe kolegë të shumtë nga e gjithë bota. Në një mënyrë apo tjetër, të gjithë theksuam rëndësinë e dialogut dhe bashkëpunimit”, ka shkruar ai në Facebook.
“Në ditët në vijim, do të fokusohem plotësisht në gjetjen e një rruge përpara”, ka shtuar Lajçaku.
Ndërkohë ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla ka reaguar ashpër ndaj Përfaqësuesit të BE-së, Josep Borrell për deklaratën e tij lidhur me sulmin e armatosur ndaj policisë në veri të vendit, ku u vra 1 polic dhe 2 të tjerë u plagosën.
Në një postim që ka bërë në Twitter Gërvalla tha se asnjë fjalë e Borrell nuk ishte në mbështetje të Policisë së Kosovës dhe as kundër terroristëve.
Ajo e ka quajtur këtë reagim të turpshëm, ndërsa ka drejtuar pyetjen se si “mund ta tolerojnë më këtë cinizëm anëtarët e BE-së?”.
“Zoti Borrell, vërtet? Terroristët vrasin policinë – dhe ju thërrisni “të gjithë aktorët”? Asnjë fjalë mbështetje për policinë? As kundër terroristëve? A i referuat edhe sulmeve terroriste në Spanjë si “armiqësore”? Sa turp. Si mund ta tolerojnë më këtë cinizëm anëtarët e BE-së?”-shkruan ajo.
Grupi i personave të armatosur që sulmoi pjesëtarët e Policisë së Kosovës në fshatin Banjskë të komunës së Zveçanit, nuk është strukturë spontane, por e organizuar dhe e parapërgatitur mirë, thonë njohësit e çështjeve të sigurisë.
Një pjesëtar i Policisë së Kosovës u vra dhe disa u plagosën të dielën në përleshjet me një grup të armatosur në pjesën veriore të vendit, të banuar me shumicë serbe.
Autoritetet thanë se rreshteri i policisë, Afrim Bunjaku, vdiq nga plagët e marra gjatë sulmit.
Sipas tyre, sulmuesit e armatosur, rreth 30 syresh, ishin vendosur në manastirin e Banjskës, nga ku shkëmbyen të shtëna me organet e rendit gjatë gjithë ditës së diel.
Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, tha se tre sulmues u vranë, ndërsa gjashtë persona të tjerë, që dyshohet se ishin të lidhur me ta, u arrestuan.
Sipas Sveçlës, autoritetet konfiskuan edhe një sasi të madhe armatimi.
Autoritetet e Kosovës bënë përgjegjëse Serbinë për sulmin, ndërsa Beogradi zyrtar serbët e Kosovës.
Lini një Përgjigje