
Mes tensioneve mes dy shteteve, BE i bën sërish thirrje kryeministrit të Kosovës Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç që të pranojnë ftesën për pjesëmarrje në takimin e në Bruksel, duke mos vendosur asnjë kusht.
Gjithashtu, Bashkimi Evropian ka paralajmëruar se mospërfillja e kësaj ftese mund të ketë pasoja për palët.
Vuçiç ka refuzuar të takohet me Kurtin, ndërkohë Kurti është shprehur se do të vendosë pas vizitës të shefit të zyrës ndërlidhëse në Beograd, Jetish Jashari tek tre policët e rrëmbyer që po mbahen në paraburgim në Kralevë.
Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, u shpreh se Borrell ka ftuar dy liderët për t’u takuar në Bruksel për të gjetur dalje nga kriza që po e shohim dhe për t’u kthyer në rrugën e dialogut.
“Data nuk është caktuar ende sepse palët nuk e kanë konfirmuar pjesëmarrjen. Borrell pret një sjellje më të përgjegjshme nga dy liderët. BE pret që ata të vijnë pa kushtëzime. Blloku evropian po e përcjell situatën për të parë se a janë palët e gatshme për të gjetur zgjidhje. Ftesa e Borrellit është ofertë dhe mundësi për ta që të dëshmojnë se pas të gjithave mund të jenë konstruktivë. Nuk është ftesë për të kënaqur Brukselin, por është për nevojën që të ulen tensionet dhe për të ardhmen evropiane të qytetarëve të Kosovës dhe Serbisë. E për këtë, askush tjetër përveç Vuçiçit dhe Kurti nuk është përgjegjës”, u shpreh Stano gjatë një konference për mediat.
Lini një Përgjigje