
Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviç, e ka cilësuar arrestimin e serbit në Leposaviç, si vazhdim torture nga Albin Kurti. Ai akuzon kryeministrin e Kosovës se po përdor të gjitha mjetet për të provokuar konflikt me popullin serb.
“Urosh.V është arrestuar herët në mëngjes pasi ka shkuar në punë. Ai është arrestuar nga pjesëtarët e Policisë së Kosovës me rroba civile, madje njëri prej tyre po lëvizte me një veturë me targa KM”, thuhet në reagimin zyrtar, duke iu referuar targave të makinave KM që lëshohen nga autoritetet serbe dhe konsiderohen ilegale nga Kosova.
Sipas Zyrës për Kosovën në Qeverinë serbe, i arrestuari është 28 vjeç dhe nuk bëhet fjalë për ndonjë kriminel!
Kujtojmë se, arrestimi i Uros Vukasinoviç është kryer si rezultat i hetimeve intensive dhe i sigurimit të dëshmive, si i përfshirë në sulm ndaj mediave/gazetarëve me datë 16 qershor 2023. Vukasinoviç është i dyshuari i tretë që arrestohet për sulmet ndaj gazetarëve, të cilët po raportojnë nga veriu i Kosovës, që pas përshkallëzimit të situatës me 26 maj.
Lini një Përgjigje