Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti do të vizitojë të dielën Tiranën.
Mësohet se Kurti do të takohet me kryeminsitrin Edi Rama dhe kryeparlamentaren Lindita Nikolla.
Ende nuk janë bërë të ditura qëllimet e kësaj vizite, por besohet të jetë në funksion të marrëveshjes së pafirmosur në Ohër, informimit të Shqipërisë me qëllim që edhe qeveria jonë të jetë e qartë në lobimin ndërkombëtar.
Kryeministri Albin Kurti tha dje para deputetëve në Kuvendin e Kosovës se nuk mund t’i shmanget marrëveshjeve që janë arritur nga qeveritë e kaluara, ndërsa garantoi se do të angazhohet që asociacioni të mos ketë pushtet ekzekutiv dhe të jetë në përputhje me kushtetutën.
Kosova dhe Serbia më 27 shkurt u pajtuan për marrëveshjen drejt normalizimit, dhe me 18 mars, pati dakordësi për Aneksin e zbatimit.
Duke e quajtur marrëveshjen si më të mirën deri më tani, Kurti tha se Serbia do të frenonte implementimin e saj, edhe pse kishte pranuar njohjen de facto të Kosovës.
Partitë opozitare e kritikuan ashpër Kurtin për zmbrapsje nga qëndrimet e tij, veçanërisht mbi asociacionin dhe për heqjen dorë nga njohja reciproke.
Marrëveshja prej 11 pikash nuk e përmend në mënyrë specifike njohjen e ndërsjellë, por ajo kërkon nga të dyja vendet të pranojnë dokumentet dhe simbolet e njëri tjetrit, përfshirë pasaportat diplomat dhe targat.
Takimi i fundit i Kurtit në Tiranë ka qenë me 13 Shtator të 2022 , ku ai mbërriti me urgjencë në kryeqytet pasditen e të martës, për një takim me kryeministrin Edi Rama.
Ky i fundit e priti kryeministin e Kosovës në vilën qeveritare 30 në një takim kokë më kokë dhe të paparalajmëruar për mediat nga stafet përkatëse të shefave të dy qeverive.
Lini një Përgjigje