
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar për herë të parë mbi skenat skandaloze në Kuvend të enjten.
Ai tha se sulmi ishte i parapërgatitur. Në një deklarim për media, ai ka thënë se deputetët opozitarë nuk kanë pasur asnjë arsye që të sulmojnë kabinetin qeveritar.
“Aty kishim maksimumin e xhirimeve dhe kishim shumë dëshmitarë të cilët do ta tregojnë të vërtetën e asaj situate në të cilën qartazi nuk bëhej fjalë për provokim e kundër provokim por bëhej fjalë për një sulm të përgatitur meqenëse shpejtësia me të cilën ia mësynë prej ulëseve të tyre disa deputetë dhe në drejtim të ulëseve të kolegëve të mi nga Qeveria derisa unë mbaja fjalim, tregon qartazi se nuk kishte asgjë spontane aty”, ka thënë Kurti.
Kryeministri u ka bërë thirrje deputetëve që për çdo çështje të organizojnë debate në Kuvend me argumente e kundër argumente, duke u shprehur se ai që nga shpallja e pavarësisë është kryeministri më i përpiktë që iu është përgjigjur pyetjeve të tyre.
“Unë edhe një herë i lus deputetët e Kuvendit të Republikës që për çdo gjë të organizojmë debate parlamentare ku i shoshisim gjerë e gjatë argumentet, faktet, qëndrimet, mendimet, opinionet tona pa dhunë. Dhe ata të cilët kanë të drejtë, besojnë në të drejtën që prezantojnë nuk do duhej t’i frikësohen debatit.
Ndërsa, ju e patë që mua mu ndalua fjala në kuvendin e Republikës së Kosovës dhe me kërkesën e kryeparlamentarit unë hoqa dorë nga vazhdimi i fjalës sime. Thjesht kur ka vazhduar seanca unë është dashur ta vazhdoj fjalën, por kryeparlamentari më tha ‘Kryeministër a bën mos ta vazhdosh fjalën në mënyrë që t’i qetësojmë gjakrat?’, unë isha dakord për këtë gjë. Por, përkundër kësaj kjo fatkeqësisht nuk dha rezultat. Unë jam kryeministri jo vetëm nga shpallja e pavarësisë së Kosovës, qe është më i përpikti në përgjigjen e pyetjeve parlamentare”, ka shtuar Kurti.
Lini një Përgjigje