TAGS-AT E JAVËS

Kosova 8 Qershor 2023, 14:52

Kurti rrëzon Ramën: Asociacioni do të bëhet vetëm kur të plotësohen kushtet në interes të Kosovës

Shkruar nga Pamfleti
Kurti rrëzon Ramën: Asociacioni do të bëhet vetëm kur
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka folur për krijimin e Asociacionit të Komunave Serbe në Kosovë, duke dhënë në një farë mënyrë edhe vizionin e tij për atë që duhet të ketë dokumenti në fjalë.

Edhe pse nuk reagoi drejtpërdrejtë ndaj deklaratave të Edi Ramës, Kurti tha se marrëveshja do të arrihet nëse ka pajtueshmëri në parim për shtyllat e tij.

Kurti, në seancën e sotme plenare ka thënë se nuk mund të shkruajë statutin e Asociacionit dhe pastaj të kërkohet një kompromis për atë, pa pasur në fillim pajtim për parimet e tij.

“Unë këtë mund të thellojë (vizionin për statutin e Asociacionit), por thellimi i kësaj nënkupton pajtueshmëri në parim. Pra kur të pajtohemi në parim, përfshirë edhe ato shtyllat që ju i përmendën që unë i kam thënë në parim, atëherë lirisht mund të thellojmë tekstin. Por nuk mund të shkruajmë tekste alternative ndërmjet të cilëve mund të gjendet një mesatare aritmetikore pa u pajtuar njëherë në parim”, është shprehur Kurti, duke iu përgjigjur në pyetjet e deputetes së PDK-së, Ariana Musliu-Shoshi.

Ai ka përsëritur mospajtimin me draftin e statutit të Asociacionit, të hartuar nga ish-ekipi menaxhues, të cilin Kurti e ka shkarkuar.

Kurti ka thënë se vizioni i tij i prezantuar është bazuar në modelin kroat për pakicat kombëtare.

“Qeveria ime nuk është pajtuar me draftin e ekipit menaxhues pasi ai imitonte në përmbajtje dhe formë Republikën e Serbe në Bosnje dhe Hercegovinë. Rrjedhimisht unë kam propozuar një draft vizion për të zbatuar nenin shtatë të marrëveshjes bazike dhe në lidhje me nenin 10, për të cilin nuk kam pranuar së pari aprovimin e palës tjetër dhe më pas edhe të Brukselit zyrtar, i cili vazhdon të konsiderojë këtë çështje të hapur...Tash e tutje mund të diskutojmë në kuadër të dialogut të Brukselit për zbatimin e nenit shtatë të marrëveshjes sipas vizionit tim të prezantuar në Bruksel, i cili prezanton shkronjën dhe frymën e Kushtetutës së Republikës sonë, konsensusin trans-atlantik të vlerave demokratike dhe liberale”, ka shtuar ai.

Sot kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka deklaruar se e ka dorëzuar një draftstatut të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, te presidenti francez Emmanuel Macron, dhe kancelari gjerman, Olaf Scholz. Për këtë dokument, ai ka thënë se i ka vënë në dijeni edhe presidentin e Këshillit Evropian dhe amerikanët.

Rama ka thënë se drafti është i punuar nga amerikanët dhe sipas tij pret që i njëjti të vlejë për të çuar në një nivel tjetër dialogun Kosovë-Serbi. 

 

albin kurti asociacioni

Lini një Përgjigje