TAGS-AT E JAVËS

Kosova 8 Qershor 2023, 09:50

Vuçiç apo Kurti, kush do të rrëzohet i pari?

Shkruar nga Pamfleti
Vuçiç apo Kurti, kush do të rrëzohet i pari?
Aleksandër Vuçiç dhe Albin Kurti

Amerikanët do të mund ta ndihmonin lëvizjen në rast se do ta cilësojnë publikisht Vuçiç përgjegjës, ashtu siç kanë bërë së fundmi me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti, që nuk iu nënshtrua diktateve të Departamentit të Shtetit...

Protesta e pestë masive e së shtunës së kaluar kundër presidentit të Serbisë Aleksandër Vuçiç, ishte më e madhja e parë deri më sot. Duket se njerëzve në Serbi u është sosur durimi. Të shkaktuara fillimisht nga 2 masakra të tmerrshme me armë zjarri, protestat e kanë zgjeruar tani qëllimin e tyre dhe po fokusohen tek rrëzimi nga pushteti i presidentit Aleksandër Vuçiç, çlirimin e medias nga kontrolli i qeverisë dhe dhënies fund të kulturës së dhunës.

Protestuesit kanë simpatinë time, por…

Unë nuk mund të mos kem simpati për protestuesit paqësorë. Serbia e rizgjodhi Vuçiç me 60 për qind të votave vetëm 14 muaj më parë në proces zgjedhor formalisht të lirë, por larg nga të qenit i ndershëm. Por prej disa kohësh është më se e qartë, se një pjesë e madhe e shoqërisë serbe është e pakënaqur me sundimin e tij gjithnjë e më autoritar, përdorimin e dhunës dhe pandjeshmërinë e saj ndaj problemeve mjedisore.

Ndërsa opozita politike është tejet e përçarë dhe joefektive, lëvizja e protestës po tregohen deri më tani e bashkuar dhe e qëndrueshme. Çështja është nëse ajo do të jetë aq e fuqishme sa të çojnë në rrëzimin e Vuçiç. Dhe unë dyshoj për këtë.

Sepse ndërsa është e zakonshme të përmendet përmbysja e Slobodan Milosheviç në tetor 2000, harrohet jo rrallë se ato demonstrata masive ishin në mbështetje të rezultateve zgjedhore.

Milosheviç sapo i kishte humbur zgjedhjet që i kishte thirrur para kohe, duke e menduar veten të paprekshëm.

Presidenti Vuçiç ka folur për mundësinë e mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në shtator të këtij viti, por nuk e ka dekretuar ende datën. Përpara se ta bëjë këtë, ai do të dëshirojë të jetë i sigurt se do ta fitojë garën. Po ashtu, ai është i aftë në përdorimin e burimeve shtetërore dhe vendeve të punës për sigurimin e mbështetjes politike.

Vuçiç ka ende disa letra për të luajtur

Aleksandër Vuçiç di të luajë mirë edhe kartat e tjera të zakonshme të politikës serbe. Fundjavës që shkoi ai organizoi demonstratën e tij, duke përdorur jo pak slogane etno-nacionaliste. Në të njëjtën kohë ai provokoi një përplasje të re në Kosovë midis serbëve dhe shqiptarëve, me qëllim shpërqendrimin e vëmendjes nga zhvillimet brenda Serbisë.

Këto i dhanë atij justifikimin për të mobilizuar ushtrinë serbe, dhe për të vendosur njësi shtesë në kufirin me Kosovën, duke pretenduar se duhej të mbronte serbët e Kosovës Veriore. Edhe pse në fakt ishin këta të fundit që sulmuan policinë e Kosovës, e cila po mbronte marrjen e detyrës nga kryetarët jo serbë të zgjedhur në zgjedhjet lokale të prillit, të cilët nën udhëzimet e Vuçiç, u bojkotuan nga serbët e Kosovës.

Nuk ka dyshim se Aleksandër Vuçiç ka edhe letra të tjera për të luajtur. Ai mund të arrestojë dhe të ngacmojë organizatorët e protestës. Po ashtu, mund të organizojë përleshje brenda Serbisë duke kërkuar ndërhyrjen e policisë.

Mediat serbe, të cilat kryesisht i injorojnë protestat kundër qeverisë, mund t’i propagandojnë më fort dhe më me forcë lavdërimet ndaj tij. Gjithashtu, ato mund të zmadhojnë kërcënimet e supozuara ndaj serbëve në Kosovë.

Vuçiç mund të mbështetet tek aleatët e tij tashmë të mirë-konsoliduar në Uashington dhe Bruksel, duke nxitur frikën se çfarë do të ndodhte nëse ai do të rrëzohej nga pushteti, duke lënë rrugën e hapur drejt pushtetit të një të djathte edhe më etno-nacionaliste.

Teknologjia e mbikëqyrjes së Pekinit dhe ndihma e Moskës për shërbimet serbe të sigurisë, do të bëjnë ç’është e mundur për ta mbrojtur atë. Shumë serbë fajësojnë tashmë ambasadën amerikane për mbështetjen e Vuçiç.

Diçka po zien dhe amerikanët mund të ndihmojnë

Ajo çfarë po zien në Serbi këto kohë, mund të rezultojë të jetë më afatgjatë dhe më e fortë se sa Vuçiç. Por që të jetë e suksesshme, kjo lëvizje do të duhet të minojë shtyllat që mbajnë në këmbë autokracinë elektorale të Vuçiç: Partinë e tij politike, ushtrinë dhe shërbimet e sigurisë, Kishën Ortodokse Serbe dhe mbështetjen aktuale që i vjen nga Uashingtoni, Brukseli, Moska dhe Pekini.

Që të ndodhë kjo, do të duhej të kishte një përçarje në elitën qeverisëse, e cila sot për sot nuk është e dukshme. Qytetarët dhe politikanët ende të guximshëm, duhet ta sfidojnë regjimin aktual me një program politik popullor si dhe me protesta të vazhdueshme.

Sigurisht, amerikanët do të mund ta ndihmonin lëvizjen në rast se do ta cilësojnë publikisht Vuçiç përgjegjës, ashtu siç kanë bërë së fundmi me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti, që nuk iu nënshtrua diktateve të Departamentit të Shtetit.

Por Uashingtoni dëshiron ende të gënjejë veten se Vuçiç do ta ankorojë përfundimisht Serbinë në aleancën perëndimore. Zbutja është qasja e preferuar në raport me të. Iluzioni se Vuçiç do të zgjedhë në fund Perëndimin, ka ende një ndikim të fortë në Departamentin e Shtetit./Marrë nga "Dtt.net"

vucic kurti

Lini një Përgjigje