
Nga dritarja e banesës ku po vuan masën e sigurisë “arrest me burg”, ish-kryeministri Sali Berisha ka akuzuar qeverinë se nuk ka shpenzuar asgjë për mbrojtjen nga zjarret.
Më tej Berisha shtoi se vetëm me 21 milionë eurot e avionit, që sipas tij, Rama e ka kthyer në taksi, mund të ishin blerë 100 zjarrfikëse. Madje kreu i PD-së shtoi se me 21 milion eurot e shpenzuara për udhëtime, mund të ishin abonuar për tetë vite avionët Kanadair për të shuar zjarret në rast të shpërthimit të tyre.
“Kjo ishte një verë e nxehtë, ndër më të nxehtat, dhe kjo verë nga jugu në veri, nga lindja në perëndim u shoqërua me zjarre të furishme. Por në tërësi, zjarre edhe të qëllimshme nga Rilindja për të hapur fushat e kanabisit në vitin paraelektoral.
Megjithatë duhet thënë se këto zjarre e gjetën Shqipërinë më duarlidhur, më të papërgatitur se kurrë sepse shpenzimet nga 2013-a gjer sot për mjetet kundër zjarrit janë pothuajse ekzistente. Edi Rama nuk ka ndërmend si qeveri të mendojë për të mbështetur qytetarët. Vetëm me 21 milionë euro në dy vjet udhëtime me avion taksi personal, mund të ishin blerë për këtë vend 80 gjer në 100 zjarrfikëse.
Me 21 milionë euro të shpenzuara për udhëtime dhe vakanca dhe për transporte të gjërave më të dyshimta nga Edi Rama, mund të ishte rritur disa herë shkalla e përgatitje së vendit për të përballuar zjarret. Mund të ishin abonuar për tetë vite avionët Kanadair për të shuar zjarret në rast të shpërthimit të tyre. Por ato të gjitha u përdorën vetëm e vetëm për interesa personale, për vakanca dhe interesa kriminale të Edi Ramës”, tha Berisha.
Lini një Përgjigje