
Deputeti i PD-së, Luan Baçi e ka quajtur një teatër absurd situatën në të cilën ndodhet opozita dhe dy grupimet e saj.
Në një intervistë për “Ora News”, duke komentuar vendimet e fundit të Këshillit Kombëtarë të PD-së, ai tha se ato nuk qëndrojnë, pasi sipas tij këshilli i tyre nuk ekziston.
“Sa për qëndrimet dhe deklaratën e z. Bardhi e dëgjova me kujdes dhe parimisht jam plotësisht dakord me respektimin e Statutit të PD-së. Por problemi është që ai statut që thotë z. Bardhi për t’u respektuar nuk ekziston. Kjo për arsyen se nuk ka struktura. Madje më konsekuent është ai grupi i Bashës që thotë nuk ka nevojë të mblidhet Këshilli Kombëtar, sepse nuk kanë Këshill Kombëtar që ekziston”, tha Baçi.
Ndërsa sa i takon përçarjes brenda PD-së së vulës, Baçi tha se nuk ekziston një përçarje e tillë, por sipas tij ata janë ndarë në dy grupime të cilat grinden se kush do të marrë vulën dhe logon e PD-së.
Ai shtoi më tej se Bashës dhe të tijve, PD-ja ju duket si biznes fitimprurës dhe nuk ju intereson sa persona e ndjekin pas atë.
“Nuk ka përçarje, atje ka një përçarje të grupeve të deputetëve për të qenë dakort për të uzurpuar vulën dhe siglën e PD-së. Pra, lufta po bëhet se kush do mbajë vulën dhe siglën aty, të cilat shihen si pasuri vetjake të tyre. Por që në fakt ato janë pasuri e demokratëve dhe jo të një pjese deputetësh që e shikojnë këtë si një pasuri që do ta kenë edhe më vonë, për arsyen se u jep të drejtën që në zgjedhjet e ardhshme të kenë financat që u jep buxheti i shtetit, pavarësisht se nuk kanë përfaqësimin e duhur politik. Pra, ata e shikojnë këtë në formën e biznesit, jo si pasuri të demokratëve. Dhe këtë më shumë se të tjerët e shikon Lulzim Basha me të tijët, të cilët nuk e kanë parë asnjëherë si forcë politike, por si biznes fitimprurës PD-në. Ndaj nuk u intereson më numri i ndjekësve të partisë së tyre”, u shpreh Luan Baçi.
Lini një Përgjigje