
Zbardhen debatet brenda PD për braktisjen e komisioneve parlamentare për Reformën Administrativo-Territoriale dhe Reformën Zgjedhore.
Dy deputetët e Partisë Demokratike, Ina Zhupa dhe Eno Bozdo, kanë dalë kundër qëndrimit të Berishës i cili ka kërkuar bojkot të komisioneve parlamentare të reformave, duke mbajtur një qëndrim ndryshe nga linja zyrtare e opozitës.
Zhupa dhe Bozdo kanë shprehur rezervat e tyre lidhur me bojkotin, duke theksuar se përfshirja në komisionet e reformave është e domosdoshme për të garantuar transparencë dhe për të mbrojtur interesin publik.
Në një mbledhje me dyer të mbyllura, mësohet se Zhupa ka argumentuar se edhe sondazhet tregojnë qartë se opozita duhet të marrë pjesë aktive në këto komisione.
“Nuk duhet ta lëmë hapësirën bosh në Komisionin e Reformës Territoriale. Pavarësisht nëse na dëgjojnë apo nuk na dëgjojnë, ne shkojmë për qytetarët dhe interesin publik. Të jemi aty për dëgjesat me ekspertët, për të dhënë zgjidhjet tona, që qytetarët të na dëgjojnë se si e duam ne reformën territoriale t’u shërbejë atyre”, është shprehur Zhupa.
Ajo ka shtuar se mungesa e opozitës i lehtëson mazhorancës miratimin e reformave pa kundërshtim, ndërsa prania në komisione do t’i detyronte ata të përballeshin me argumente. Sipas deputetes, qytetarët e zonave që ajo përfaqëson kërkojnë pjesëmarrje dhe jo bojkot.
“Votat nuk i kemi, por e kemi zërin tonë aty dhe kjo do të ketë rezonancë si te qytetarët, ashtu edhe te ndërkombëtarët”, ka theksuar deputetja e PD-së, duke nënvizuar se opozita duhet të ndjekë një qasje shumёdimensionale: protesta, pjesëmarrje në reforma, analizë dhe përgatitje për zgjedhje.
Të njëjtin qëndrim ka mbajtur edhe deputeti tjetër demokrat, Eno Bozdo, i cili ka deklaruar se opozita duhet patjetër të marrë pjesë në komisionet e reformave, duke shtuar zërat kundër bojkotit brenda Partisë Demokratike.
Ndërkohë, edhe deputeti Tritan Shehu i ka dalë kundër Sali Berishës për bojkotin e komisioneve të posaçme, të Reformës Zgjedhore dhe asaj Territoriale.
Shehu u shpreh se është një kohë që mazhoranca ka mbyllur çdo derë dhe në këto kushte bojkoti nuk është zgjidhja. Ai theksoi se i takon Kryesisë të vendosë.
“Asnjë prej nesh nuk do bojkot, në kushtet kur mazhoranca ka mbyllur çdo derë dhe në këto kushte të parlamentarizmit detyrohesh të marrësh qëndrime ekstreme”, mësohet të ketë thënë Tritan Shehu.
Sipas burimeve nga mbledhja, deputetët Bledjon Nallbati, Xhelal Mziu, Oerd Bylykbashi, Ina Zhupa, Tritan Shehu, Arjan Ndoja, Bledi Himçi, Enno Bozdo, Luan Baçi dhe Bujar Leskaj kanë kërkuar që Partia Demokratike të marrë pjesë në komisionet për reformat, duke argumentuar se mungesa e opozitës i hap rrugë mazhorancës të miratojë ndryshime të njëanshme.
Ata kanë theksuar se bojkotimi i proceseve parlamentare e dobëson rolin përfaqësues të PD-së dhe e përjashton atë nga vendimmarrjet kyçe.
Lini një Përgjigje