Kreu i Komisionit për Mbikëqyrjen Institucionale reagon pas ndryshimeve në Kuvend që kufizojnë raportimin e SPAK në sallën plenare. Opozita ngre dyshime për një filtër të ri politik mbi drejtësinë
Fatmir Xhafaj ka dalë publikisht në mbrojtje të rolit të ri që parlamenti po merr ndaj institucioneve të drejtësisë, në një moment kur ndryshimet në Rregulloren e Kuvendit kanë ndezur debat të fortë politik për raportin mes politikës dhe SPAK-ut.
Për herë të parë, kreu i SPAK nuk do të raportojë më para 140 deputetëve në sallën plenare të Kuvendit, por vetëm në dy komisione parlamentare, njëri prej të cilëve drejtohet pikërisht nga Fatmir Xhafaj.
Ndryshimi është parë nga shumë qarqe politike si një lëvizje e kujdesshme për të krijuar një kanal të ri kontrolli parlamentar mbi institucionet e drejtësisë, ndërsa vetë Xhafaj u përpoq të shuante dyshimet se komisioni që ai drejton mund të përdoret si instrument presioni ndaj SPAK-ut.
Në një tryezë të zhvilluar për mbikëqyrjen institucionale, ish-ministri i Drejtësisë insistoi se roli i parlamentit nuk cenon pavarësinë e institucioneve.
“Kontrolli parlamentar nuk është konflikt institucional. Mbikëqyrja parlamentare nuk është ndërhyrje. Llogaridhënia nuk cënon pavarësinë institucionale. Transparenca nuk është kundërshtare e pavarësisë”, deklaroi Xhafaj.
Por deklaratat e tij vijnë pikërisht në një moment delikat, kur në politikë po shtohen dyshimet se mazhoranca po kërkon të ndërtojë mekanizma të rinj ndikimi mbi institucionet e drejtësisë përmes filtrit parlamentar.
Vetë fakti që SPAK-u hiqet nga raportimi direkt në sallën plenare dhe kalon në komisione, ku debati është më i kontrolluar politikisht, po shihet nga kritikët si një sinjal i qartë për ndryshimin e raportit mes Kuvendit dhe Prokurorisë së Posaçme.
Xhafaj, i cili një dekadë më parë ishte figura politike që udhëhoqi reformën në drejtësi, deklaroi se është i vetëdijshëm për “balancën delikate” mes kontrollit parlamentar dhe pavarësisë së institucioneve.
“Unë jam i vetëdijshëm se kontrolli parlamentar në përgjithësi dhe sidomos në rastin e institucioneve të pavarura është një nga balancat më delikate në çdo demokraci institucionale. Ne konsiderojmë të papranueshme përgjatë këtij procesi komentimin e çështjeve konkrete apo çdo lloj ndikimi në vendimmarrjet e tyre institucionale”, tha ai.
Megjithatë, skepticizmi mbetet i fortë, sidomos për faktin se komisioni i drejtuar nga Xhafaj po fiton gradualisht më shumë kompetenca në raport me institucionet e pavarura.
Ironikisht, demokratët që dikur e sulmonin Xhafajn si simbol të “narkoshtetit” dhe kërkonin largimin e tij nga politika, sot kanë bashkuar votat me socialistët për ndryshimet që forcojnë rolin e komisionit të tij në Kuvend.
Në të njëjtën tryezë ku Xhafaj fliste për “transparencë” dhe “llogaridhënie”, ambasadori i Holandës në Tiranë dha një mesazh krejt tjetër për klasën politike shqiptare, duke theksuar se Bashkimi Europian kërkon institucione të pavarura dhe pushtet që jep llogari reale.
Mesazhi i diplomatit holandez u interpretua nga shumë si një paralajmërim indirekt ndaj çdo tentative politike për të krijuar presion apo kontroll mbi institucionet e reja të drejtësisë.
Lini një Përgjigje