Qeveria shqiptare ka reaguar zyrtarisht ndaj deklaratave të fundit të Rusisë, e cila paralajmëroi personelin diplomatik dhe qytetarët e huaj të largohen nga Kievi përpara sulmeve të mundshme në kryeqytetin ukrainas.
Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, e konsideroi këtë qëndrim të Moskës si të papranueshëm dhe në kundërshtim me normat ndërkombëtare që rregullojnë marrëdhëniet diplomatike mes shteteve.
Në një postim të publikuar në rrjetin social X, kryediplomati shqiptar deklaroi se paralajmërimet ndaj ambasadave dhe përfaqësive të huaja nuk mund të konsiderohen diplomaci, por përbëjnë një formë presioni dhe intimidimi ndaj misioneve diplomatike në Ukrainë.
Sipas Hoxhës, këto deklarata përfaqësojnë një tjetër shkelje të së drejtës ndërkombëtare dhe të Konventës së Vjenës për Marrëdhëniet Diplomatike, dokumenti që garanton mbrojtjen dhe funksionimin normal të përfaqësive diplomatike në kohë paqeje dhe konflikti.
Ministri theksoi se Shqipëria nuk do të ndryshojë qëndrimin e saj ndaj luftës në Ukrainë dhe se misioni diplomatik shqiptar do të vazhdojë të qëndrojë në Kiev.
“Shqipëria nuk do të tërhiqet. Ne mbetemi në Kiev. Ne qëndrojmë fort me Ukrainën dhe nuk do të intimidohemi”, u shpreh Hoxha në reagimin e tij publik.
Në deklaratë, ai nënvizoi gjithashtu se përshkallëzimi i konfliktit me më shumë sulme, krime lufte apo goditje ndaj civilëve dhe infrastrukturës civile nuk mund të sjellë zgjidhje për konfliktin.
Sipas ministrit shqiptar, e vetmja rrugë për t’i dhënë fund luftës mbetet angazhimi në negociata reale dhe me mirëbesim për paqe.
Ferit Hoxha bëri të ditur se ky qëndrim i është komunikuar edhe ambasadorit të Federatës Ruse në Tiranë gjatë një komunikimi zyrtar të zhvilluar të enjten.
Reagimi i Shqipërisë vjen në një moment tensioni të shtuar lidhur me situatën e sigurisë në Ukrainë dhe paralajmërimet e fundit të autoriteteve ruse për sulme të mundshme në Kiev.
Lini një Përgjigje