Presidenti i Republikës, Bajram Begaj ka përfunduar procesin e votimit në KZAZ nr 33.
Presidenti Bajram Begaj i shoqëruar nga Zonja e Parë, Armanda Begaj kanë votuar rreth orës 09:00 të mëngjesit e sotëm për të vendosur drejtuesin vendor për 4 vitet e ardhshme.
Pas votimit, Presidenti Begaj ka dhënë një prononcim për mediat ku ka thënë se sot është ditë e rëndësishme në demokraci, ku edhe ai ka bërë detyrën e tij si qytetar.
Gjatë deklaratës së tij për mediat, presidenti i ka bërë thirrje qytetarëve të bëjnë ndryshimin me anë të ushtrimit të së drejtës së votimit.
“Çdo shtetas i Republikës me të drejtë vote sot ka ditën që të mund të dëgjohet. Që vota e tij të dëgjohet fjala dhe pushteti i votës mund të bëje ndryshimin, Unë e kam thënë që këto votime nuk janë të partive, janë të qytetarëve dhe duhet t’i shërbejnë qytetarëve”, tha presidenti.
Presidenti votoi në shkollën 9-vjeçare “Kongresi i Lushnjës”.
Nga ana tjetër Sali Berisha do të votojë aty ku prej vitesh ka hedhur votën e tij, në shkollën 9 Vjeçare "Kosova", në Njësinë Bashkiake nr. 2 në kryeqytet. Aleati i tij Ilir Meta voton edhe ai si gjithmonë në qendrën e votimit në ambientet e Kopshti nr.31, në rrugën "Pjetër Bogdani" në Njësinë Bashkiake nr. 5, i shoqëruar nga bashkëshortja, deputetja Monika Kryemadhi.
Ndërsa kryeminsitri Edi Rama voton në shkollën "Ymer Lala".
Ndërkohë që kryetari i Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj, do të votojë në orën 9.45 pranë QV në Shkollën e Mesme Ekonomike, përballë me pedonalen.
Sa i përket kandidatëve kryesorë për bashkinë e kryeqytetit duhet thënë se kandidati socialist Erion Veliaj pritet të votojë në orën 9 , te Parku Olimpik, Zyrat e Agjencisë Parqeve dhe Rekreacionit. Kandidati i ‘Bashkë Fitojmë’ Belind Këlliçi votoi në Shkollën "Dora d'Istria" në orën 8.30. Ndërkohë që i fundit prej tyre, pritet të votojë kandidati i PD për kryetar bashkie në Tiranë, Roland Bejko, i cili e hedh votën në orën 11.00 pranë qendrës së votimit në shkollën "Gustav Mayer" në afërsi të rrugës Frosina Plaku. Kandidati i Lëvizjes BASHKË, Arlind Qori, voton në orën 10:30 tek Liceu.
Lini një Përgjigje