
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të japë 10 milionë euro për kompaninë postare që do të transportojë votën në diasporë. Ky prokurim nuk do të bëhet me garë të hapur, por me negociatë të drejtpërdrejtë.
KQZ ka caktuar fondin prej 10 milionë eurosh për kompaninë postare që do të transportojnë fletën e votimit në diasporë. Sipas të dhënave të Agjencisë së Prokurimeve Publike, kompania postare nuk do të zgjidhet përmes një tenderi me garë të hapur, por sipas procedurës specifike: me negocim, pa njoftim.
E thënë ndryshe, KQZ vihet drejtpërdrejt në komunikim me një apo disa kompani që i ka studiuar në treg si të përshtatshme dhe lidh marrëveshje me njërën prej tyre.
Kjo formë prokurimi parashikohet nga ligji në rastet e emergjencës, si dhe Kodi Zgjedhor ka autorizuar KQZ-në që për shërbimin postar të përdorë procedurën më të shpejtë që lejon ligji.
Megjithëatë, KQZ nuk e ka përdorur këtë formë prokurimi vetëm për postën, por edhe për programe të tjera.
Kështu, 600 mijë euro do të jepen me negociatë për të blerë materiale zgjedhore me element sigurie (vula- kode sigurie).
Pa garë të hapur do të shpenzohen mbi 1 milionë euro të tjera për Përditësime/Përmirësime softuerike në Sistemin Elektronik të Identifikimit të Votuesve dhe zëvendësim pjesësh të PEI.
1 milionë euro të tjera do të jepen me negociatë për shërbime të suportit dhe përditësime për Votimin Elektronik që do të kryhet në njësinë 10 në Tiranë dhe në Bashkinë Vorë.
Edhe blerja e materiale zgjedhore (kuti votimi për zgjedhësit nga jashtë vendit dhe kuti materialesh) me vlerë 192 mijë euro, po ashtu do të realizohet pa një garë të hapur mes kompanive të interesuara.
Tenderët pa garë të KQZ
Shërbim postar për zgjedhësit nga jashtë vendit 1,008,333,333 lekë
Materiale zgjedhore (vula-kode sigurie) 61,000,000 lekë
Përditësime softuerike, zëvendësim pjesësh të PEI 125,995,943 lekë
Përditësime për Votimin Elektronik 110,342,551
Kuti votimi për zgjedhësit nga jashtë vendit 19,260,000 lekë/Shqiptarja
Lini një Përgjigje