Kot nuk kacafyten e hedhin miliona, për t’u bërë kryetar bashkie...
Rasti që po publikojmë, vërteton se Bashkia e Vorës nuk qenka aq e varfër, siç u thuhet qytetarëve, por taksat e tyre vidhen nga drejtuesit e bashkisë, nëpërmjet marifetit të tenderëve fiktivë që sajojnë për të mbushur xhepat e tyre dhe të miqve të tyre.
Më 7 gusht 2023, në Bashkinë e Vorës, do bëhet një tender për marrjen e 2 veturave me qira, që do vihen në shërbim të drejtuesve të Ujësjellësit të Vorës: një për drejtuesen Ivi Koja dhe 1 për zyrën e financës, paçka se të dy kanë makina.
Vlera e fondit limit të këtij tenderi është caktuar 57 milionë lekë me TVSH, për 2 auto vetura të markës “SUV”, me qira për 3 vite dhe të jenë prodhim i vitit 2022, ndërsa gjatë 3 viteve përdorim do mirëmbahen nga Bashkia e Vorës.
Ujësjellësi i Vorës nuk ka lekë të paguajë as dritat e zyrave, por këtë fond ia ka akorduar Kryetari i Bashkisë, Blerim Shera, nga fondi i emergjencës, i cili njëherazi është dhe Kryetar i Asamblesë së Ujësjellësit të Vorës, mbasi ky është 100% në pronësi të bashkisë.
Sipas veprimit matematik, rezulton se 2 auto-veturat me qira, Bashkia e Ujësjellësi i Vorës, do t’i marrin me nga 28.5 milionë lekë secila, kur më vlerën e qirave që do paguajnë, mund të blihen minimalisht 3 vetura “SUV” të reja me zero kilometër.
Ky tender, dëshmon se krye bashkiaku i Vorës, Blerim Shera, ka filluar ta shijojë kolltukun e t’i shohë ‘hajrin’; fundja këto miliona ia ka taksur një familjari të tij me biznes “Dhënie makina me qira”./Pamfleti

Lini një Përgjigje