
Kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha, vizitoi sot në burg ish-deputetin demokrat, Ervin Salianji.
Pas takimit me Salianjin, në një deklaratë për mediat Berisha tregoi se çfarë diskutoi me demokratin e dënuar. Ai tha se me Salianjin foli lidhur me vazhdimin e betejës së PD, ndërsa u shpreh se ai ndodhet në burg vetëm se i shërbeu Shqipërisë.
Berisha tha gjithashtu se Salianji goditi dy klanet mafioze më të rrezikshme të Shqipërisë dhe të Ballkanit, duke iu referuar klanit Rama dhe Xhafa. Ai shtoi se Salianjit, iu vërsulën me të gjitha mjetet e mafies prandaj ish-deputeti i PD vuan sot dënimin.
“Erdha këtu dhe takova deputetin e Kuvendit të Shqipërisë, që dergjet, vuan dënimin vetëm e vetëm se i shërbeu vendit, iu shërbeu qytetarëve, kreu detyrën e tij, obligimet e tij duke denoncuar në atë kohë, klanin më të rrezikshëm e trafiqeve në Shqipëri, klanin e Geron Xhafës.
Ervin Salianji, siç dihet, bëri publike regjistrimin e një gazetari guximtar në të cilën faktohej se, Agron Xhafa, njeri dhe ai me tre emra, drejtonte trafiqet nga gjiri i Vlorës drejt Italisë.
Agron Xhafa kishte dy vëllezër. Një vëlla nga gjaku, Fatmir Xhafën, një vëlla tjetër nga morali, Olsi Ramën. Kjo është e vërteta.
Dhe, meqenëse, Salianji goditi me një të rënë dy klanet mafioze më të rrezikshme të Shqipërisë dhe të Ballkanit, klanin Rama dhe klanin Xhafa, u vërsulën kundër tij me të gjitha mjetet e mafies dhe sot ai vuan dënimin për shërbimin e madh dhe të çmuar që i bëri Shqipërisë.
Në vend të tij, këtu duhet të ishte Fatmir Xhafa dhe Olsi Rama, për të mos thënë absolutisht dhe Edi Rama vetë”, tha Berisha gjatë fjalës së tij.
Lini një Përgjigje