
Studentët paralajmërojnë “bisedë miqësore” në BIA (Agjencia e Sigurisë dhe Informacionit)
Lëvizja studentore në Serbi nuk po ndalet. Ajo filloi në fund të nëntorit 2024, kur studentët e Fakultetit të Arteve Dramatike në Beograd nisën një protestë për të kërkuar ndjekjen penale të personave që kishin sulmuar kolegët e tyre gjatë një aksioni solidariteti me viktimat e aksidentit në stacionin hekurudhor në Novi Sad.
Kjo lëvizje u përhap shpejt në fakultetet e tjera dhe aktualisht janë të bllokuara mbi 40 fakultete në Beograd, Novi Sad, Nish dhe Kragujevac.
Qëllimet e deklaruara të kësaj lëvizjeje janë; ndjekja penale e personave përgjegjës për aksidentin në stacionin hekurudhor në Novi Sad, ku humbën jetën 15 persona; publikimi i dokumentacionit të plotë për rikonstruksionin e stacionit hekurudhor; mbrojtja e të drejtave të studentëve dhe të profesorëve, duke përfshirë të drejtën për të protestuar pa frikë nga ndëshkimi.
Ata kanë ftuar nxënësit e shkollave të mesme, punonjësit e arsimit, fermerët dhe qytetarët që t'u bashkohen në protestat e tyre.
Edhe këtë fillim vit, kjo lëvizje jo vetëm se nuk po shuhet, por ata kanë vazhduar protestat dhe bllokadat edhe gjatë festave të Krishtlindjeve dhe Vitit të Ri, duke deklaruar se do ta kalojnë tërë vitin në luftë. Pasi përfunduan protestën para ndërtesës së gjykatës në Novi Sad, studentët kanë njoftuar se më 11 janar do të mblidhen para Agjencisë së Sigurisë dhe Informacionit (BIA) për një "bisedë miqësore" sepse nuk kanë frikë dhe nuk kanë çfarë të fshehin. Është mbajtur një aksion për të nderuar viktimat e rënies së tavanit të stacionit të trenave në Novi Sad.
"Ne, studentët në barrikada, ju ftojmë të bashkoheni me protestën të dielën më 12.01 në orën 16:00 para Gjykatës Kushtetuese dhe të na mbështesni. Javët e fundit kemi qenë dëshmitarë të shkeljeve të Kushtetutës dhe për këtë arsye kemi vendosur të mblidhemi simbolikisht para ndërtesës së Gjykatës Kushtetuese dhe të shprehim pakënaqësinë tonë," thuhet në deklaratën e studentëve./Pamfleti
Lini një Përgjigje