TAGS-AT E JAVËS

Politike 9 Janar 2025, 10:58

Rama në alarm; gati të ndryshojë thuajse të gjithë krerët politikë të qarqeve

Shkruar nga Pamfleti

 

Rama në alarm; gati të ndryshojë thuajse të gjithë
Edi Rama /

Baza ka reaguar negativisht kundrejt komisarëve politikë të Bablokut…

Edi Rama ka marrë një raport dramatik nga baza pas nisjes së punës të të deleguarve në qarqe. Në Vlorë, Blendi Çuçit i ka ‘hasur sharra në gozhdë’; në Fier, Belinda Balluku është detyruar t’i shmangë të gjithë krerët e bashkive dhe deputetët; Durrësi mbetet një tunel pa dritë; Tirana në kaos, kurse Elbasani një ‘fjalëkryq i panjohur’.

Burimet pranë mazhorancës bëjnë të ditur se Edi Rama ka menduar një skemë suprizuese që pritet ta shpallë këtë fundjavë, ose maksimumi të hënën.

Sipas kësaj skeme, pritet të ndryshohen rreth gjysma e shefave politikë, ndërkohë, kur afati për diasporën po ngushtohet, e sipas gjasave do të bëhet i pamundur votimi edhe për këtë herë.

Sipas afatit të përcaktuar nga axhenda e KQZ-së, partitë do të duhet që t’i përfundojnë listat në fund të shkurtit.

Ndërkohë Rama do të duhet të shpejtojë lëvizjet e krerëve maksimumi deri javën tjetër.

Situata më e rëndë është në qarkun e Tiranës, Elbasanit, Vlorës dhe Durrësit, ku baza ka reaguar thuajse negativisht ndaj “komisarëve” të Bablokut. Një e dhënë që mund të minojë totalisht fushatën, pasi ministrat janë sjellë me arrogancë me militantët e bazës, duke komanduar krerët e strukturave në terren. Kjo ka sjellë më pas një bojkotim masiv të mbledhjeve të strukturave. Deri tani vetëm në Shkodër PS ka arritur të optimizojë një entuziazëm militance dhe më gjerë, ku kreu politik Benet Beci, ka arritur të krijojë organizata të reja, edhe me kontigjente të elektoratit që dikur nuk kanë votuar PS-në.

Ndërkaq në Tiranë dhe Fier, problemet janë vënë re pikërisht në strukturat bazë të anëtarëve të PS-së. Të cilët kanë shprehur një revoltë si pasojë e frustrimit në vite, por që duket është ushqyer edhe nga arroganca e të deleguarve.

Dilema e Edi Ramës është që nëse anashkalon ministrat, atëherë rrëzohet narracioni i tij i qeverisjes. Si zgjidhje të mesme, mësohet se është gjetur rikthimi i emrave të vjetër ose si krerë qarqesh ose si të dubluar për të nxitur militantët.

Burime në mazhorancë, thuhet se para dy ditësh Rama ka pasur një bisedë të gjatë në Vlorë me Gramoz Ruçin, ku nuk përjashtohet rikthimi i tij, së paku si një mbështetje për Ballukun në Fier, ndërkohë në Tiranë ka gjasa që bën një lëvizje të fortë, duke u ofruar vetë si kreu i qarkut.

Duke drejtuar kështu ‘in personam’ të gjitha strukturat, dhe për t’i marrë me të mirë deri në zgjedhje.

Siç mësohet, për njësinë 7 dhe njësinë 2 ka menduar të rikthejë dy “senatorë” të tjerë si kandidatë për deputetë, me shpresën për të ulur gjakrat.

Në mbledhjen e fundit të kryesisë, u ka thënë anëtarëve, se na duhet të shpikim vetveten, duke nisur nga unë i pari./Pamfleti

 

edi rama alarm do të ndryshojë komisarët politikë

Lini një Përgjigje