Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka marrë pjesë këtë të enjte në pritjet e ngushëllimeve të organizuara nga familja e Ilir Metës, pas ndarjes nga jeta të babait të tij, Rexhep Meta.
Berisha mbërriti në ambientet e hotelit ku po zhvillohen pritjet në Tiranë dhe u prit fillimisht nga Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi. Më pas ai hyri në sallën ku familja Meta po pret ngushëllimet nga të afërm, miq dhe personalitete të jetës publike.
Pas përfundimit të vizitës, kreu i PD-së foli për mediat, duke shprehur ngushëllimet për humbjen e familjes Meta, ndërsa njëkohësisht e cilësoi arrestimin e Ilir Metës si një proces me motive politike.
“Kryetarit të partisë së dytë më të madhe opozitare, Ilir Metës, i shpreh ngushëllime për ndarjen nga jeta të babait të tij, një njeri i respektuar dhe i devotshëm. Duke i shprehur ngushëllime atij dhe familjes, dënoj me forcën më të madhe arrestimin e tij.
Një farsë e turpshme, një farsë që mbahet gjallë nga një ish-xhelat i Sigurimit të Shtetit dhe të tjerë, me falsitete. E thotë Viktor Hygoi diku, çobani i bagëtive të egra është më i egër se ato. Bastardi i egërsirave, i xhelatëve të komunistëve është më i egër se vetë ata.
Dëgjoni, ju duhet të bëni investigim. Unë ftoj mediat të bëjnë investigim. Dëgjoni se çfarë bëjnë, dorëzojnë dokumente të cilat faktojnë se kanë ngritur akuzën mbi falsitet dhe nuk do i jepen LSI-së për dy vite, nuk duhet t’i shohin se nuk duan t’u dalin akuzat fale, të turpshme që kanë lëshuar ndaj tij.
Edhe njëherë u them, asnjëra prej akuzave ka absolutisht zero substancë. E mban Edi Rama vetëm nga frika dhe tmerri, sepse siç e shihni ju, ai tani mbahet në çdo fije bari, është i aftë për çdo akt, pasi në fakt është një kufomë e pakallur”, u shpreh Berisha.
Lini një Përgjigje