
Anëtarët e rinj të Këshillit të Ministrave, të dekretuar nga Presidenti i Republikës dhe të miratuar nga Kuvendi, do të kryejnë ceremoninë zyrtare të betimit përpara kreut të shtetit.
Sipas njoftimit zyrtar, ceremonia do të mbahet të premten, më 6 mars 2026, në orën 10:00, në ambientet e Pallatit të Brigadave.
Emërimet e reja në kabinet u miratuan në një seancë plenare të shoqëruar me debate dhe tensione politike. Me 83 vota pro dhe 3 kundër, Kuvendi miratoi emërimin e Albana Koçiut në postin e zëvendëskryeministres.
Po me 83 vota pro dhe 4 kundër u votua Ferit Hoxha si ministër i Punëve të Jashtme, ndërsa me të njëjtin rezultat u miratua edhe emërimi i Besfort Lamallarit në krye të Ministrisë së Brendshme.
Ndërkohë, Ermal Nufi u emërua ministër i Mbrojtjes me 83 vota pro dhe 6 kundër, ndërsa Toni Gogu mori drejtimin e Ministrisë së Drejtësisë me 83 vota pro dhe 5 kundër.
Gjithashtu, Enea Karakaçi u votua ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë me 83 vota pro dhe 6 kundër, ndërsa Erjona Ismaili u emërua ministre e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, duke marrë 82 vota pro dhe 4 kundër.
Lini një Përgjigje