TAGS-AT E JAVËS

Politike 5 Mars 2026, 12:45

Braçe i kërkon llogari për shkollën “Emin Duraku”, Kumbaro justifikohet me procedurat

Shkruar nga Pamfleti
Braçe i kërkon llogari për shkollën “Emin
Braçe-Kumbaro

Deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe, ngriti në Kuvend shqetësimin e prindërve për vonesat në hapjen e shkollës “Emin Duraku”, gjatë një sesioni pyetje-përgjigje me ministren e Arsimit, Mirela Kumbaro.

Braçe theksoi se prej muajsh prindërit janë përballur me vështirësi për shkak të ndryshimit të rutinës së fëmijëve, të cilët po zhvillojnë mësimin pasdite në shkollën “Edith Durham”. Sipas tij, rreth 1700 prindër janë detyruar të riorganizojnë aktivitetin e tyre të përditshëm për të dërguar dhe marrë fëmijët nga shkolla.

Ai kujtoi se punimet për ndërtimin e shkollës kishin nisur në dhjetor 2024, ndërsa në mars të vitit të kaluar ishte vendosur si afat që objekti të përfundonte në shtator. Sipas Braçes, edhe pse ndërtesa është përfunduar që në tetor, shkolla ende nuk është hapur për nxënësit.

“Nga dhjetori i vitit të kaluar prindërve u është ndryshuar jeta, pasi duhet të rregullojnë oraret për të shoqëruar fëmijët në shkollë. Tani që flasim, shkolla ka përfunduar në tetor dhe vetëm këto ditë ka nisur kompletimi me bazën materiale. Kur do të hapet shkolla?”, u shpreh ai.

Nga ana e saj, ministrja Mirela Kumbaro u justifikua duke thënë se, edhe pse ndërtimi i godinës ka përfunduar, hapja e saj kërkon edhe disa procedura administrative dhe teknike, përfshirë kolaudimin e objektit dhe mobilimin e ambienteve.

Ajo bëri të ditur se një pjesë e mobiljeve tashmë ka mbërritur në shkollë dhe procesi i pajisjes është drejt përfundimit. Sipas ministres, godina përfshin 33 klasa mësimore, 10 laboratorë, një sallë multimediale, bibliotekë dhe një palestër sportive.

Kumbaro shtoi se nxënësit po zhvillojnë përkohësisht mësimin në shkollën “Edith Durham”, e cila ndodhet rreth 160 metra larg, ndërsa objekti i ri pritet të jetë plotësisht funksional në shtatorin e ardhshëm.

Lini një Përgjigje