TAGS-AT E JAVËS

Politike19 Janar 2026, 12:35

Tabaku kritika mazhorancës: Integrimi në BE nuk bëhet me ligje “shkel e shko”, por me parlament që funksionon

Shkruar nga Pamfleti
Tabaku kritika mazhorancës: Integrimi në BE nuk bëhet me ligje
Deputetja e PD, Jorida Tabaku

Sesioni i ri parlamentar nisi me mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve, gjatë së cilës deputetja Jorida Tabaku, kryetare e Komisionit për Mediat dhe të Drejtat e Njeriut, adresoi kritika të ashpra ndaj mazhorancës, duke e akuzuar për shkelje të rregullores parlamentare, përjashtim të opozitës nga vendimmarrja dhe deformim të procesit të integrimit europian.

Në fjalën e saj, Tabaku vuri në dukje se integrimi europian nuk mund të reduktohet në një proces formal dhe të njëanshëm, ku opozitës i kërkohet vetëm të miratojë ligje të hartuara nga qeveria.

Ajo theksoi se agjenda legjislative e integrimit duhet të ndahet paraprakisht me opozitën dhe të shoqërohet me konsultime reale dhe debat parlamentar. Sipas saj, në sesionin e kaluar, dhjetëra ligje u paraqitën për t’u votuar me procedurë të përshpejtuar, pa diskutim dhe jashtë procesit normal parlamentar.

“Rregullorja nuk mund të shkelet për asnjë arsye, as në emër të integrimit”, deklaroi Tabaku.

Deputetja demokrate kritikoi gjithashtu shkeljen e vazhdueshme të të drejtave të opozitës, duke theksuar se edhe dokumentet zyrtare të mazhorancës për integrimin europian parashikojnë instrumente si seanca dëgjimore, komisione hetimore, interpelanca dhe pyetje parlamentare, të cilat në praktikë nuk zbatohen.

“Këto nuk janë deklarata politike, por të drejta kushtetuese të opozitës. Prej katër vitesh rresht ato përfshihen në kalendar dhe nuk realizohen”, tha ajo, duke e cilësuar të papranueshme kufizimin e rolit të opozitës dhe bllokimin e mbikëqyrjes parlamentare.

Tabaku u ndal edhe te marrëdhënia e Kuvendit me drejtësinë, duke e cilësuar mbylljen e sesionit të kaluar si një precedent të rëndë institucional. Ajo përmendi raste kur, sipas saj, mazhoranca ka vepruar si mburojë politike për të penguar zbatimin e vendimeve të institucioneve të drejtësisë, përfshirë edhe ato të Gjykatës Kushtetuese.

Sipas deputetes, mbyllja e sesionit të kaluar pa diskutuar mandatin e zëvendëskryeministrit është një tjetër tregues i mënyrës se si shumica socialiste i qaset drejtësisë. Ajo kërkoi që sesioni i ri parlamentar të nisë me rivendosjen e rregullit përmes mbledhjes së Këshillit për Rregulloren dhe Mandatet.

Në vijim, Tabaku theksoi se edhe vetë qeveria po pranon se vendi është ende larg një procesi real të integrimit europian. Sipas saj, kërkesa e opozitës për kohë shtesë, analizë dhe debat për ligjet e integrimit nuk përbën pengesë, por një domosdoshmëri për cilësi. Ajo paralajmëroi se nxitimi i shumicës për të miratuar ligje pa shqyrtim të thelluar ka pasoja për buxhetin dhe qytetarët shqiptarë.

Deputetja nënvizoi se kjo qasje pasqyron keqfunksionimin e Kuvendit nën drejtimin e shumicës socialiste. Sipas saj, një parlament funksional do të garantonte diskutim të rregullt, transparent dhe gjithëpërfshirës, ndërsa një Kuvend që vepron si noter i vendimeve të qeverisë cenon interesin publik.

“Integrimi europian nuk matet me numrin e ligjeve të votuara me shpejtësi, por me cilësinë e tyre, respektimin e procedurave dhe funksionimin real të demokracisë parlamentare”, përfundoi Tabaku.

tabaku integrimi ne be mazhoranca

Lini një Përgjigje