Mos guxoni të merrni peng drejtësinë, iu drejtua nënkryetari demokrat i Kuvendit, Agron Gjekmarkaj, socialistëve, në mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve, e para me nisjen e sesionit të ri parlamentar.
Ndërsa është diskutuar mbi punimet e Kuvendit, Gjekmarkaj tha se opozita do qëndrojë përballë mazhorancës në Kuvendin e Shqipërisë, por edhe në rrugë e sheshe, nëse do të tentohet të merret peng drejtësia.
“Katër muajt nga shtatori në dhjetor kanë qenë muajt më të shemtuar të parlamentarizmit, dhunim i rregullores, dhunim i opozitës, në 11 seanca vetëm një a dy herë kemi bërë debat normal, sepse keni patur frikë nga fjala e opozitës, të përfshirë nga skandalet tuaja!
Që të kemi vit të mbarë duhet që drejtësia të mos merret peng, që viti mos të fillojë me hungërima, përçarje e çjerrje se si doni t’i tregoni vendin opozitës!
Ju them: mos guxoni!
Do ta keni përballë Opozitën në Kuvend dhe sheshët e Shqipërisë!
Meqë zoti Balla iu referua raportit të OSBE/ODIHR, i them se ai raport jua rrëzoi zgjedhjet e vjedhura të 11 Majit, ato dy të tretat që ju thoni!
Zoti Balla foli për një Shqipëri që nuk ekziston, foli për vizione, duke shmangur atë që Shqipëria reale pret të dëgjojë, atë që qytetarët duan: dënimin e korrupsionit. Çfarë keni për të thënë për drejtësinë e marrë peng me dhunë nga mazhoranca, për sekserin a taksidarin e republikës që ta ka pushuar nga puna edhe ty si ministër a ndonjë tjetër këtu!
Hakmarrja e drejtësisë, jo “hakmarrja për drejtësi”, do të bjerë mbi ju, nga brenda, nga jashtë. Kësaj dialektike nuk i shmangeni dot”, tha Gjekmarkaj.
Lini një Përgjigje