TAGS-AT E JAVËS

Politike19 Janar 2026, 12:06

Konferenca e Kryetarëve, Balla-opozitës: Boll me revolucione imagjinare, s’mund të bllokoni reformat

Shkruar nga Pamfleti
Konferenca e Kryetarëve, Balla-opozitës: Boll me revolucione
Konferenca e Kryetarëve

Konferenca e Kryetarëve ka zhvilluar mbledhjen e parë për vitin 2026-të, ndësa sesioni i ri parlamentar nis pasditen e së hënës me seancën plenare, pas pushimeve dimërore të deputetëve.

Në Konferencën e Kryetarëve, Taulant Balla, kreu i Grupit Parlamentar të PS-së, duke iu drejtuar deputetëve të opozitës, tha se nuk ka vend për thirrje e përbetime për revolucione që nuk do të ndodhin.

Teksa shprehu gadishmërinë e socialistëve për të bashkëpunuar në miratimin e reformave të nevojshme për Shqipërinë, duke përfshirë Kodin Zgjedhor të ri dhe Ndarjen Administrative Territoriale, Basha tha se opozita nuk ka pse të humbasë kohën.

“Mos humbisni kohë kot as me “shtrimin e tapetit” të alibisë për humbjen e radhës. Jemi të gatshëm të bashkëpunojmë me ju plotësisht për t’i dhënë Shqipërisë një Kod të ri Zgjedhor sipas standardeve më të mira zgjedhore, Ndarje Administrative Territoriale funksionale, e gjithçka tjetër.

Duhet ta fiksoni mirë në mendje se ju nuk mund te bllokoni reformat. Kemi bërë një marrëveshje në sesionin e kaluar për ngritjen e komisioneve. Nëse ju sot thoni tërhiqeni nga komisionet kjo është shkelje e marrëveshjes në mënyrë te njëanshme. Ne do të detyrohemi të vazhdojmë punën dhe pa ju.

Komisioni i Posaçëm i Reformës Zgjedhore duhet të adresojë rekomandimet e OSBE-ODIHR-it ku përparësi të veçantë ka depolitizimi i plotë i administratës zgjedhore. Duhet të marrë fund kjo qasje e papranueshme për një vend anëtar të BE, partitë votohen, partitë numërojnë.

Gjithashtu të gjithë ia themi njëri tjetrit majtas-djathtas, në ato netët pafund të numërimit të votave, sa herë kemi zgjedhje. Dhe këtu duhet ta ripërsërisim me zë të lartë nevojën e nxjerrjes së rezultatit të zgjedhjeve në një kohë më të shkurtër, pse jo të mos kryhet numërimi në qendrat e votimit.

Fakti është se qoftë për komisionet zgjedhore partiake, qoftë për vonesën në nxjerrjen e rezultatit zgjedhor, koha nuk pret më as për zgjedhjet vendore 2027.

Reforma zgjedhore sa i përket Kodit Zgjedhor kërkon të paktën 84 vota në Kuvend. Por ne e kemi bërë publike ambicien tonë për një reformë më të thellë e cila të përfshijë edhe zvogëlimin e numrit të deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë në të paktën 100 apo 101 deputetë.

Dëgjova zotin Gjekmarkaj se opozitës i është mohuar e drejta e fjalës. Ka një indikator shumë domethënës nga sesioni i kaluar. Koha e diskutimeve. Opozita ka marrë 48 orë diskutime, shumica bashkë me Qeverinë 40 orë diskutime në seancë plenare”, tha Balla.

Lini një Përgjigje