Nga kontrolli politik te falimentimi i qëllimshëm: pse mbyllja e medias publike është pjesë e planit për të grabitur truallin, për të shuar ndikimin kulturor dhe për të mbyllur një epokë pa zë kundërshtues...
Zhurma që ka shkaktuar deklarata e Edi Ramës për mbylljen e Radio-Televizionit Shqiptar, me shumë mundësi e ka kënaqur autorin. Pasi ka shkaktuar efektin që priste, edhe pse jo plotësisht. Në shumicën e njerëzve që kanë reaguar, megjithatë, kryeministri ka mbetur i kënaqur. Pasi objektivi i tij është hapja e një debati, krijimi i një çështjeje, ndoshta shpërthimi i pakënaqësive dhe indinjatave. Me shumë gjasa protestave, ngritja e një kauze dhe më pas një betejë ku do të ketë të humbur dhe fituar.
Edi Rama, në mënyrë lineare, është personazhi që në mënyrë direkte apo indirekte e ka kontrolluar RTSH-në, pasi e ka parë si një fuqi të rëndësishme komunikative, një shtëpi që prodhon influencë të rëndësishme.
I ardhur në Tiranë prej Parisit, kur sapo kishte fituar Partia Socialiste zgjedhjet parlamentare të vitit 1997, gjatë një pritjeje në Presidencë, bëri përshtypje një bisedë jo e zakonshme e Edi Ramës me Fatos Nanon, kryeministrin e vendit dhe kryetarin e PS-së, përkatësisht shefin e vendit.
Nën shoqërinë e Ardian Klosit, Edi Rama sulmon RTSH-në, e cila në atë kohë drejtohej nga Eduard Mazi, personazh mediatik shumë afër Fatos Nanos, madje pjesë e miqësisë së tij të hershme, që vinte nga një familje me “biografi të mirë” në kohën e komunizmit dhe e integruar në elitën influencuese mediatike dhe kulturore.
Por le të kthehemi te biseda me nerva e Ramës me Nanon. Edi, që në atë kohë ishte thjesht një publicist rebel që kishte kontribuar në rrëzimin e Sali Berishës, ishte irrituar se RTSH, me rikthimin e socialistëve, po transmetonte në seri filmat e Kinostudios “Shqipëria e Re”. Ata që ndoqën bisedën thonë se, me të folurën e tij pa fre, Rama thoshte se gati sa s’kishte thyer televizorin. E kishte për filmin “Ballë për Ballë”, me skenar të Ismail Kadaresë, që Rama e quante “bythë për bythë”.
Fatos Nano nuk vonoi shumë dhe, me mënyrën e tij makiaveliste, emëroi Ardian Klosin Drejtor të Përgjithshëm të RTSH-së, duke i thënë mikut të tij që e uli në një nivel më poshtë, vetëm si drejtor televizioni, për ta mërzitur, pasi intelektuali i ndjerë ishte një qenie e brishtë.
Nano, që ishte as më pak e as më shumë, por i biri i kryemjeshtrit të intrigave në RTSH-në e kohës së “Xhaxhit”, e dinte se për të mbijetuar duhej të ishe ose një person me nerva të forta, ose të kishe lidhje shumë të forta. Të dytën profesori Klosi e kishte, gati njësoj si Mazi, por të parën jo.
Ardian Klosi ndërmori realisht një përpjekje për ta rritur cilësinë në RTSH, madje edhe duke promovuar balancimin politik, duke marrë një mbështetës të vjetër të PD-së në krye të Departamentit të Informacionit. Një lëvizje, sipas gjasave, tipike alla Rama, i cili po bënte gati terrenin për të hyrë në politikë.
Por njeriu i Nanos ia nxiu jetën Drejtorit të Përgjithshëm me mënyrat e vjetra të kohës së Thanës-drejtor. Madje edhe duke e tallur e bezdisur. I zhgënjyer dhe i vrarë në shpirt, Dan Klosi i shkretë iku sa sytë këmbët nga RTSH. Iu nxi jeta pa mbushur ende një vit. Në krye rikthehet sërish aparatçiku i vjetër, mik i Fatos Nanos, i cili e ktheu RTSH-në në pronë gati private.
Arkivat e pronësisë intelektuale, që ishin thesari i RTSH-së, u shitën për pesë aspra, siç do të shprehej “shoku Enver”. Ndërkohë, një nga kolosët e kulturës shqiptare që punonte si krijues në institucion, lëshoi një batutë brilante që ka mbetur edhe sot e kësaj dite:
“Qorri (nuk dihej nëse e kishte për Nanon apo shefin e RTSH-së) ka sjellë një riportabël me mrika nga Miloti te lajmet.”
Kjo shprehje metaforike fliste për folëset që zaptuan ekranin, duke zhvendosur gazetarët me përvojë që fyheshin e persekutoheshin nga “mrikat” që ziheshin për flokësh për lajmet e orës 20:00.
Edi Rama, ndërkohë, nuk e harroi kurrë poshtërimin që i bënë me spostimin e Ardian Klosit. Ai e donte një media të tijën që ta përdorte si platformë politike, si një kazermë militante. Të cilën më pas e gjeti te grupi mediatik i Koço Kokëdhimës, të cilin e ndihmoi me kontrata e licenca në Ministrinë e Kulturës dhe më pas në Bashkinë e Tiranës.
Edi Rama nuk e harroi kurrë median publike, edhe pse hapur bënte si snob që nuk e ndjek. Agjencia Telegrafike Shqiptare kishte godinën më eminente të bulevardit “Jean D’Ark”, thuajse aq hijerëndë sa Ministria e Jashtme. Edi Rama ia mori, fillimisht ia dha Lefter Kokës e më pas Ministrisë së Arsimit. Tani ka miratuar një kullë të lartë atje.
Edhe RTSH-në, që ndodhet në një vend më strategjik dhe në një terren më të madh se ATSH-ja e vjetër, e do për truallin. Por fuqia kulturore dhe ndikuese e institucionit është e madhe. Kjo nga influenca që ka pasur në kulturën shqiptare në kohën e diktaturës, e më pas u përdor si kotec për pulat e Berishës, Nanos dhe Edi Ramës, që më shumë bënë glasa sesa vezë.
Heqja e RTSH-së nga godina historike nuk është një fjalë goje, pasi edhe për fuqinë financiare përbën një halë të madhe në fytin e tij politik si kamare.
Edi Rama, sapo erdhi në pushtet, vuri në krye të RTSH-së jo thjesht njerëz pranë apo mbështetës të tij, por njerëz ngushtësisht të tij. Thoma Gëllçi, drejtori i parë pas fitores së Edi Ramës, ishte një lobim direkt i familjes së tij, që pati edhe një mbështetje nga Ilir Meta, në atë kohë në koalicion me të.
Rama synoi të krijonte një periudhë paqeje në median publike me një pjesë të opozitës, duke vendosur në emisionin kryesor politik kreun e bordit të familjes Berisha, i cili ishte një përfitues i donacioneve perëndimore, kryesisht të USAID-it.
Në mbyllje të mandatit të parë, kur merr pushtetin krejt i vetëm, ndodhi arrestimi i Drejtorit të Përgjithshëm të RTSH-së, kur sapo ishte krijuar SPAK. Ndërmjet njerëzve të tij, Edi Rama u shfry se RTSH ishte mallkuar, nuk bëhej më, kështu që “le ta marrë lumi”.
Kurse ata që e nuhatën, u frikësuan se së bashku me Teatrin Kombëtar, Edi Rama kishte ndërmend t’i vinte rruspën edhe RTSH-së. Kur nuk ia arriti, vendosi një kamikaz të tij, Alfred Pezën, i cili nisi një fushatë terrori brenda institucionit.
Synimi ishte të krijohej një gjendje depresive që të shkaktonte largimin masiv, më pas falimentimin financiar dhe në fund mbylljen. E gjitha ishte një plan i menduar. Rama sakrifikoi Pezën, e largoi dhe krijoi një proces kaotik në RTSH për zgjedhjen e drejtorit të ri, ku si pasojë u shkri edhe Këshilli Drejtues.
Kjo situatë krijoi në publik një bezdi, një mërzitje për një institucion që “nuk ia del”, që është i mbaruar. Njësoj edhe shumë njerëz që punonin aty u mërzitën dhe nisën të mendojnë largimin.
Më pas u sajua emërimi i Eni Vasilit, nga një klan afër Lindës. Vasili, e cila nuk mund të vepronte si kamikaze si parardhësi, gjithsesi vijoi në të njëjtën linjë: hoqi njerëz nga puna dhe ndërpreu fondet për strukturat vendore të RTSH-së në bashki të ndryshme, që nuk kanë as naftë për makinat për të shkuar në terren, apo bojë për printerët.
E gjitha kjo krizë nuk është rastësi. Detyra e Vasilit është të shpallë falimentimin. E Rama, gjoja duke larë duart si Ponc Pilati, t’u thotë të vetëve: “Vrisni veten, nga unë s’ka asnjë lek më.”
Kështu do të ndodhë njësoj si me ATSH-në: shkurtimi i punonjësve dhe zhvendosja në godina më të vogla. Ndërkohë, trojet miliarda euro të RTSH-së në Tiranë, Shkodër, Korçë dhe Gjirokastër do të kthehen në “investime strategjike” për turizmin. Si gjithmonë me emra fake, sepse thjesht do të kthehen në kulla.
Ky duket synimi. Por a do t’ia arrijë? Nëse kthehet në përplasje politike të thjeshtë, mund të dështojë si Teatri. Por nëse, siç po ndodh këto ditë, në ballë dalin emra të papërlyer dhe me reputacion të kulturës, Edi Rama nuk ia arrin dot. Ose do të lërë kockat brenda, duke u kthyer në varrin e tij politik./Pamfleti
Te gjithe e dine qe RTSH ka gati zero publlik. Cfare duhet nje media publike pa publik? Qe te rrahe uje ne hava? Kam punuar aty dhe e di sa gomerre ka aty qe kujtojne se punojne, dhe sa te frustruar jane. Sa ika nga Rtsh u clirova. Aty kishte prostitucion, kotesi drejtues xhahile dhe te budallepsur qe nuk jane ne gjendje te bejne asgje po ti largosh prej aty.
Nëse e vërtetë do ishte Turp. Në Itali, nuk besoj se e shohin të gjithë RAIn, dhe madje as në kohën e qeverisjes Berlusconi, që ishte jo thjesht konkurrenti i RAI, por më tepër, dhe nuk iu cënua asnjë fije floku RAIt. Nuk mund të varet fati i një institucioni tek shikueshmëria apo pëlqyeshmëria e tij nga KM i radhës. me këtë logjikë muduhen mbyllur një sërë institucionesh. Kush bëri analizë për diçka në këtë vend, që ti behet edhe TVS. TVSH mund të reformohet dhe madje disa nga stacionet edhe duhen hequr pasi mund të jenë jo rentabël kundrejt shikueshmërisë, por me 2 - 3 apo më tepër kanale, mund të vazhdojë mendoj.
Si në çdo rast… tokë e djegur, pastaj mbinë kullat… Kot u qamë nga Enver Hoxha… Ky doli “xhahil”…. Mallkuar qofshin ata që na e bënë peshqesh, nga F. Nano, G. Ruçi… Dhe nga S. Berisha, që nuk e “pastroi” më 21 janar….
RTSH ka mbaruar vjedhur e keq perdorur nga politika qindra persona marrin nje rroge kot pa asnje lloj funksioni vetem sa figurojne punonjes ne RTSH Miliona euro qe jepen nga taksat tona pa asnje lloj funksioni. Ka ardhur koha qe te shkrihet pasi nuk justifikon asnje cent miniere ari per ata drejtore hajdut ne bashkepunim me politiken e katandisen ne kete gjendje Sot kemi shume televizione private ne Shqiperi qe paguajne taksa dhe mbijetojne ndersa RTSH vjedh miliona taksa dhe nuk kryen asnje funksion ka ardhur koha qe kjo takse me mire te shkoje per diçka tjeter ku mund te kryeje nje funksion sesa ne xhepat e ketyre hajduteve ordinere
Rtsh deri ne 90 drejtohej nga komunistet, te ndershem, por te tredhur. Pas 90 nga veriore, te ndershem, por berishiste. Pas vitit 97, drejtuesit ngjanin si pikat e ujit me kryeministrat dhe etapat e zhvillimit te tyre. Atehere filloi edhe vjedhja. Kryeministri qorr dhe pijanec dhe pusht, njashtu edhe drejtori .Kryeministri pijanec, bixhozxhi, hajduti, ashtu edhe drejtori. Kryeministri xhahil, shkerdhate dhe hajdut, injorant, po ashtu edhe drejtori, plus edhe kurvar. Kryeministri lider global ,i kapur ne vjedhje, drejtori ne burg por qe ka shume mend, sa ti jape edhe Kines. Kryeministri arrogant, drejtori kapterr. Kete te rené do ta shohim si drejtore se e kemi njoh kur punonte aty... ca mund te presesh pra nga ky institucion i mbaruar!!!??? P.s. i kam njohur te gjithe drejtoret personalisht.
RTSH nuk eshte aspak i mbaruar. Perkundrazi. Ka shikueshmeri me shume se Top Kanali dhe Klani, por thjesht eshte keqmenaxhuar qellimisht nga keto dy TV private me qellimin per ta mbyllur. Nga 2005 deri ne 2013 Drejtoria i perfjithshem ishte Petrit Beci ish drejtoria i pergjithshem i Klanit. Pas Thoma Gellcit u emerua Enkelejda Joti i drejtor i pergjithshem i Topit. Tani kane vene Enin si ishpunonjese te Irfanit te News24 dhe Beci i Klanit por dhe i FaxNews te vellait te Irfanit eshte ne Keshill Drejtues. Qellimi eshte mbyllja e konkurences se privateve dhe pse jo ndertimi ne nje zone ku kushton mbi 6000€ merri katror…