
Drejtuesi politik i Partisë Demokratike për qarkun e Dibrës, Xhelal Mziu ka treguar detaje nga protesta e opozitës e 24 janarit.
Ai u shpreh se kjo protestë është një betejë e qytetarëve dhe iu bën thirrje të bashkohen dhe të mbushin sheshin të shtunën e ardhshme. Demokrati theksoi se do të përdoret çdo lloj instrumenti që përdorin edhe opozitat në Greqi dhe Francë.
“Kjo nuk është një betejë e PD-së apo Sali Berishës, por është e qytetarëve. Dhe në fakt, sheshi duhet të mbushet nga qytetarët sepse kur shohin miliona euro të vjedhura, si në rastin e AKSHI-t, ku grupet kriminale kishin akses në të dhënat e qytetarëve, bëhet fjalë për një situatë ku duhet të ngrihen jo vetëm demokratët, por edhe personat apolitikë. Pse jo, edhe vetë socialistët”, tha deputeti demokrat.
Sipas tij, “data 24 duhet të dalë përtej pjesës politike”. Mziu shton se qytetarët duhet ta rrëzojnë qeverinë më të keqe të të gjithë kohërave.
“Duhet të dalin qytetarët dhe ta rrëzojnë këtë qeveri sepse është edhe më e keqe se ajo e diktaturës. Sot kemi rekord të administratës publike sa i përket punësimit dhe kanë frikë për të dalë në protestë. Janë në panik, por absolutisht që do të dalin në shesh dhe data 24 janar do të jetë shumë më masive dhe do të përdoret çdo lloj instrumenti që përdorin edhe opozitat në Greqi dhe Francë”, u shpreh Mziu për “A2 CNN”.
Lini një Përgjigje